Kryediplomati i Austrisë flet për Asociacionin, përmend Tirolin Jugor si model

Aktuale

Kryediplomati i Austrisë flet për Asociacionin, përmend Tirolin Jugor si model

Më: 22 mars 2023 Në ora: 18:24
Alexander Schallenberg

Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg, ka theksuar sot se është i kënaqur që takimi me homologun e tij serb, Ivica Daçiq po zhvillohet në Vjenë pas marrëveshjes për Planin e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ka ende shumë takime dhe bisedime të vështira përpara nesh. Marrëveshja që u arrit është një sinjal i rëndësishëm. Unë e mirëpres që Serbia dhe Aleksandar Vuçiq e pranuan këtë marrëveshje. Nuk ishte një hap i lehtë, por është një hap i rëndësishëm”, shpjegoi ai, në konferencën për media pas bisedimeve me Daçiqin.

Ai tha se e di që normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është diçka e rëndësishme për të gjithë rajonin.

“Normalizimi i marrëdhënieve nuk ka alternativë. Ka mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së. Dhe nuk ka alternativë. Siç tha një ministër britanik, “është e vetmja shfaqje në qytet””, theksoi Schallenberg.

Ai shprehu shpresën se të gjitha marrëveshjet do të zbatohen sa më shpejt, natyrisht edhe Asociacioni.

Kryediplomati austriak tregoi se e di se sa i vështirë dhe emocional është procesi. Ai theksoi se ka një shembull pozitiv, pikërisht Austria, teksa përmendi Tirolin e Jugut si model për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe.

“Ky është një vend që ka filluar të ekzistojë në vitin 1918, kur, për shembull, një ministër francez tha: “Austria është ajo që mbetet”, është një vend që ka pësuar ndryshimet më të mëdha dhe sot jemi një nga vendet më të pasura, ku njerëz që janë krenarë për gjithçka që është arritur. Shikoni Tirolin e Jugut. Ka shembuj pozitivë dhe Austria është një prej tyre”, shpjegoi ai.

Sipas tij, integrimi evropian ndihmon në zgjidhjen e konflikteve dhe shtoi se me Daçiqin diskutoi sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, si dhe pasojat për rajonin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat