Stavileci për rritjen e çmimit të energjisë: Qeveria ka ndikim në vendimin e ZRrE-së

Aktuale

Stavileci për rritjen e çmimit të energjisë: Qeveria ka ndikim në vendimin e ZRrE-së

Më: 23 mars 2023 Në ora: 18:12
Blerand Stavileci

Nga 1 prilli i këtij viti qytetarët e Kosovës do të përballen edhe me një shtrenjtim tjetër.

Përpos, artikujve ushqimorë ata do të paguajnë më shtrenjtë edhe faturat e energjisë elektrike.

Kjo, për shkak që sot Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka miratuar tarifat e reja e që do të jenë rreth 15% më shumë.

Lidhur me këtë vendim për shtrenjtim të energjisë ka folur ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.

Stavileci, ka thënë se çfarë do vendimi që merret në institucionet e vendit nuk mund të përjashtohet ndikimi i Qeverisë, duke mos e lënë anash as këtë të fundit për tarifat e energjisë.

“Deshëm apo s’deshëm cili do prej organeve dhe institucioneve të Kosovës i cili merr vendime të tilla nuk mund ta përjashtojmë nga hapësira e ndikimit të Qeverisë mbi të dhe në cilin do organ tjetër sepse nuk është që kjo po ndodhë për herë të parë”, është shprehur Stavilec.

Derisa ka përmendur shtrenjtimin e energjisë, Stavileci nuk ka lënë pa folur edhe për shtrenjtimet në produktet bazike, e gjë që sipas tij me këtë jetesa e qytetarëve të vendit po rëndohet dhe po përkeqësohet edhe më shumë.

Ish-ministri thotë se kjo rritje e çmimit do të mund të arsyetohet tek qytetarët vetëm nëse do të ndodhtë ndonjë investim në këtë sektor.

“Shtrenjtimet asnjëherë nuk i pëlqejnë askujt, ndoshta i vetmi arsyetim për shtrenjtim në këtë rast të energjisë elektrike i cili do të arsyetohej disi nga qytetarët e Kosovës do të ishte nëse një gjë e tillë do të bëhej për shkak të investimeve në këtë sektor. Por, themi për shkak të investimeve sepse rriten shpenzimet  dhe kalkulohet një mënyrë shtrenjtimi që Kosova pas disa viteve do të ketë pavarësi energjetike”.

Ai tha se këto shtrenjtime po vijnë si rezultat pikërisht i këtyre mungesave dhe varshmërisë që kemi nga importi dhe çmimet e larta të importit, sidomos dy vitet të fundit.

Shtrenjtimi i rrymës kishte ndodhur edhe në fillim të vitit 2022 dhe si arsye e thënë nga ZRRE-ja ishte konsumi i lartë dhe kriza energjetike në botë.

Për këtë Partia Demokratike e Kosovës vendimi kishte ushtruar padi, e cila kishte konsideruar se vendimi i ZRRE-së do t’i shkaktonte dëme të pariparueshme qytetarëve të Kosovës.

Stavileci, ka folur edhe për veprimet që do të ndërmarrin tani si parti, kur po përballen me një vendim të tillë edhe këtë vit.

“Ne ashtu sikurse herën e fundit edhe kësaj here nuk do të ndalemi duke i provuar dhe shtjerru të gjitha format dhe mjetet ligjore për ta kundërshtuar. Ju e dini që vjet e kemi bërë një gjë të tillë, dhe pavarësisht që në disa instanca është fitua lënda në dobi të qytetarëve, pastaj kemi pas vendime të tjera që në fakt konsiderojmë që janë vendime kontraverse sepse të gjithë ata që punojnë në institucione shtetërore pa e ditë se a janë të lidhura drejtpërdrejtë me organet Qeveria apo Kuvendi duhet ta shohin shumë më shtruar situatën dhe të gjithë e dinë se sa është rënduar barra e të jetuarit në Kosovë e sidomos për familjet në nevojë”, ka deklaruar Stavileci.

Në shkurt të vitit të kaluar Zyra e Rregullatorit kishte  vendosur që konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në muaj nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, pra të njëjtit do të paguajnë me tarifat aktuale.

Tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovat është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.

Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovat, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat