Musa Vila tregon pse agjërojnë myslimanët dhe çfarë shpërblimi kanë

Aktuale

Musa Vila tregon pse agjërojnë myslimanët dhe çfarë shpërblimi kanë

Më: 30 mars 2023 Në ora: 01:00
Musa Vila

Profesori i Fakultetit të Studimeve Islame, Musa Vila, ka thënë se qëllimi i agjërimit nuk është që besimtarëve t’ua ndalojë vetëm ushqimin dhe pasionet e tyre, por është edhe ngritja e vetëdijes dhe ndërgjegjes te njerëzit.

Sipas profesorit Vila, personat të cilët agjërojnë në fund të muajit të Ramazanit janë njerëz më të skalitur, të edukuar dhe mbi të gjitha më të devotshëm.

“Prej synimeve të muajit të bekuar të Ramazanit nuk është vetëm njeriu apo besimtari të tërhiqet nga ushqimet, nga pijet, nga pasioni, por ka synime edhe më të larta dhe më piedestale të cilat aludon vetë agjërimi. Do të thotë synim kryesor ndoshta i agjërimit është ngritja e vetëdijes e ndërgjegjes te njeriu është edukimi i tij, pastrimi i thellë shpirtëror edhe i zemrës. Do të thotë agjërimi do që neve në fund të muajit të jemi njerëz më të skalitur, njerëz më të edukuar edhe të jemi njerëz më të devotshëm”, ka thënë Vila në emisionin “Fanari”.

Vila interpreton librin e shenjtë të Kur’an-it, ku thotë se personat që agjërojnë mund të edukohen, të bëhen të devotshëm, si dhe do të pastrohen shpirtërisht.

“Devotshmëria gjithmonë synohet në shumë obligime, por në veçanti agjërimi ka ardhë te përfundimi i ajetit të Kur’an-it, që thotë se ndoshta përmes agjërimit ju do edukoheni, do të bëheni më të devotshëm edhe do të pastroheni shpirtërisht dhe do të pastroni atë brendësinë e juaj”, tregon profesori.

Ndërsa, sa i përket shpërblimit të agjërimit, profesori Vila tha se në një porosi profetike, thuhet që agjërimi nuk krahasohet me asgjë për nga shpërblimi.

“Te shpërblimet, agjërimi ka shpërblime shumë të mëdha, mund të themi edhe kapitale. Në një porosi profetike, thotë që agjërimi nuk krahasohet me asgjë për nga shpërblimi. Mirëpo, gjatë agjërimit, besimtarët duhet të kenë shumë kujdes që të ruajnë pastërtinë e agjërimit”, u shpreh ai.

Më tej, Vila tha se agjërimi është obligim për njerëzit e shëndosh, derisa theksoi që nga ky obligim përjashtohen ata persona që nuk janë të shëndosh fizikisht, apo kanë ndonjë sëmundje kronike.

“Agjërimi nuk është një detyrim i lehtë. Është një detyrim jashtëzakonisht i rëndë, ka ato vështirësitë e veta, e sidomos te besimtarët që kanë sëmundje të ndryshme. Ndërsa, tjerat në bazë të mundësive”, potencoi tutje Vila.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat