Ukë Rugova lirohet nga akuza për krim të organizuar me vizat italiane, dënohet me 6 mijë euro për armëmbajtje pa leje

Aktuale

Ukë Rugova lirohet nga akuza për krim të organizuar me vizat italiane, dënohet me 6 mijë euro për armëmbajtje pa leje

Më: 30 mars 2023 Në ora: 13:51
Ukë Rugova

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim lirues lidhur me veprën penale krim i organizuar ndaj ish-deputetit Ukë Rugova, ish-ministrit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija, Qefser Bahollit dhe Izet Beqirit, ndërsa aktgjykim dënues për armëmbajtje pa leje ndaj Rugovës, Bahollit dhe Beqirit.

Ata ngarkoheshin se duke vepruar si grup kriminal, për qëllime të përfitimit material, i kanë pajisur qytetarët në mënyrë të jashtëligjshme me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarve në këtë rast, u shpall të enjten nga kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dërmaku, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Gjykatësja Dërmaku tha se të akuzuarit Ukë Rugova, Izet Beqiri, Astrit Haraqija dhe Qefser Baholli, konform nenit 363, pika 1.3 të Kodit të Procedurës Penale, lirohen nga akuza në pikën 1, 2, 4 dhe 5, pasi nuk u provua se kanë kryer veprën penale “Krim i organizuar” nga neni 383, par.2 lidhur me veprën penale “Kontrabandim me migrantë” nga neni  170, par.1 dhe 2 të Kodit Penal.

Sipas aktgjykimit, për Ukë Rugovën gjykata ka bërë ricilësimin  nga paragrafi 2 në paragrafin 1 për veprën penale armëmbajtje pa leje, pasi që të njëjtin e gjeti përgjegjës për posedimin e dy revoleve.

Kurse, edhe Izet Beqirin dhe Qefser Bahollin i gjeti përgjegjës për armëmbajtje pa leje.

Ndaj Ukë Rugovës, gjykata shpalli dënim me gjobë në shumën prej 6 mijë euro për armëmbajtje pa leje, kurse ndaj Beqirit dhe Bahollit, dënim me gjobë për secilin veç e veç nga 3 mijë e 500 euro, për të njëjtën vepër penale.

Kurse, për Florjan Petanin është refuzuar akuza, pasi që Prokuroria Speciale ka hequr dorë nga ndjekja penale.

Gjykatësja Dërmaku tha se ankesa ndaj aktgjykimit, sipas Kodit të ri është 30 ditë.

Ndryshe, për të akuzuarin Florjan Petani, prokurorja speciale Florije Shamolli, në seancën e 27 marsit 2027, gjatë fjalës përfundimtare ka kërkuar aktgjykim refuzues, me arsyetimin se për të njëjtin, Gjykata e Romës ka nxjerrë aktgjykim lirues, për të njëjtat vepra penale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat