Prokuroria e Speciales: Ish-krerët e UÇK-së donin t’i eliminonin kundështarët për shkaqe politike

Aktuale

Prokuroria e Speciales: Ish-krerët e UÇK-së donin t’i eliminonin kundështarët për shkaqe politike

Më: 3 prill 2023 Në ora: 11:14
Pamje nga Haga

Prokurori i specializuar, Alex Whiting, tha se për ish-krerët e UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, kishe një “anë të errët” të udhëheqjes së tyre dhe se ky sipas tij, është objekti i gjykimit që po fillon sot.

Gjatë fjalës hyrëse, prokurori tha se ish-krerët e UÇK-së kryen krime lufte për të fituar pushtet gjatë luftës.

“Provat, do të tregojnë që katër të akuzuarit në rolin e tyre si udhëheqës të lartë në shtabin e përgjithshëm, mbështetën dhe zbatuan një politikë e cila vinte në shënjestër ata persona që konsideroheshin prej tyre si kundërshtarë, përfshirë ata që akuzoheshin si kolaboracionistë; shpesh mbështetur nga asgjë, përpos lidhjeve me institucionet serbe si dhe personat e përceptuar si jombështetës të qëllimeve apo mjeteve të UÇK-së dhe më vonë të qeverisë së Kosovës. Kjo politikë e promovuar nga të akuzuarit gjatë periudhës së aktakuzës synonte burgosjen, keqtrajtimin dhe torturimin dhe ndonjëherë vdekjen e kundërshtarëve”, ka thënë ai.

Prokurori tutje ka thënë që aktakuza përfshin me qindra burgosje në mbarë Kosovën dhe në mbi 100 vrasje – ku shumica e viktimave ishin shqiptarë të Kosovës.

“Sjellja kriminale të cilën prokuroria synon ta vërtetojë, është në fakt mjaft e thjeshtë. Shtabi i përgjithshëm i UÇK-së ku katër të akuzuarit ishin ata më të rëndësishmit përqafojnë në komunikimet dhe deklaratat e veta një politikë të shprehur shumë qartë të shënjestrimit të atyre që përceptoheshin si tradhtarë, përfshirë edhe kundërshtarët politikë. Katër të akuzuarit, u përfshinë në artikulimin dhe në zbatimin e kësaj politike, edhe duke caktuar edhe mbikqyrjen e komandantëve dhe strukturave që u vunë në jetë”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat