“Liria ka emër”, Rama u bën jehonë protestave në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

Aktuale

“Liria ka emër”, Rama u bën jehonë protestave në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

Më: 3 prill 2023 Në ora: 12:49
Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama pas nisjes së gjykimit në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka publikuar një video nga protestat që janë bërë të shtunën dhe sot në mbështetje të tyre.

“Liria ka emër. Prishtinë Dje – Hagë Sot”, ka shkruar Rama në Facebook.

Ndryshe, dje, Rama para nisjes së gjyqit e ka dhënë komentin e tij për këtë çështje, duke përsëritur se ka diçka shumë të madhe që nuk shkon në këtë proces.

Ai ka ngritur dilemën se kjo situatë e bën të mendojë që mos vallë pas pak vitesh edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, do të jetë në këtë situatë, edhe pse rolet nuk janë krejtësisht të njëjta.

“Komenti im është i njohur. Ka diçka shumë të madhe që nuk shkon në këtë proces, pa dashur të paragjykoj aspektin që ka të bëjë me drejtësinë dhe pavarësinë e një gjykate e cila është formuar voton e parlamentit të Kosovës, thjesht mbetem i mahnitur në sensin më negativ me faktin që udhëheqësi i një lëvizje çlirimtare, popullore dhe jo një ushtrie të organizuar, ndaj një regjimi brutal që synoi të spastronte etnikisht shqiptarët në Kosovë, akuzohen si kriminel lufte. Vetë presidenti i SHBA, Joe Biden e pagëzoi si George Uashingtonin e Kosovës, është sot prej një kohe të gjata prapa hekurave. I marrë si president në detyrë dhe i mbyllur brenda pa akuzë për një periudhë disavjeçare, gjë që është jashtë çdo imagjinate në raport me të drejtën ndërkombëtare. Dhe do të duhet të përballet me një proces që mua më bën të mendoj, mos vallë ky do të jetë fati i Zelensky-t pas dy vitesh edhe pse Zelensky është një komandant të një ushtrie të rregull”, kishte thënë Rama.

Ndërkaq, sot, në nisje të gjyqit, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u deklaruan të pafajshëm për aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Prokuroria nisi deklaratën hyrëse, që pritet të jetë në kohëzgjatje prej maksimumi pesorësh, duke argumentuar se gjatë gjykimit do të paraqesë prova që dëshmojnë se katër ish-krerët e UÇK-së kanë “personalisht përgjegjësi për krimet” që janë paraqitur në aktakuzë.

Prokurori i Specializuar, Alex Whiting, tha se ky rast nuk është “gjykim i UÇK-së”, por vetëm ndaj katër të pandehurve

Sipas Prokurorisë së Specializuar, të katër të akuzuarit ishin udhëheqës të një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe se qëllimi i kryerjes së krimeve ishte fitimi i pushtetit.

Sipas prokurorisë, shumica e viktimave ishin shqiptarë dhe katër të pandehurit kishin vënë në shënjestër persona që i konsideronin kundërshtarë të UÇK-së dhe bashkëpunëtorë të Serbisë.

Ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime të luftës: arrestim dhe ndalim i paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Ndërkaq, krimet kundër njerëzimit që ata akuzohen se kanë kryer janë: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat