Rrustemi: Ata që e votuan Specialen ndoshta kishin një pikëpamje tjetër rreth ecurisë

Aktuale

Rrustemi: Ata që e votuan Specialen ndoshta kishin një pikëpamje tjetër rreth ecurisë

Më: 4 prill 2023 Në ora: 06:32
Adnan Rrustemi

Deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi është deklaruar për procesin gjyqësor që nisi sot ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Rrustemi tha se pret një proces të drejtë dhe që të akuzuarit të kthehen të pafajshëm nga Haga.

“Natyrisht është një proces i padrejtë, një gjykatë e padrejtë. Lufta e UÇK-së ka qenë luftë çlirimtare, luftë e drejtë e cila ka buruar dhe është mbështetur nga populli për çlirim dhe liri. Asnjëherë nuk do të duhej të vinte puna që të kemi një Gjykatë që gjykon krerët e UÇK-së por është për të ardhur keq që Kuvendi më 2015 e themeloi”.

“Ne kërkojmë, presim një proces të drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë dhe jemi të bindur natyrisht që do të dalin faqebardhë dhe të pafajshëm sikur që ka qenë e gjithë kauza”, deklaroi Rrustemi.

I pyetur pse krerët e VV-së nuk dolën në “Marshin për Drejtësi”, Rrustemi tha se kundër kësaj Gjykate personalisht kishte protestuar më 2015.

“Kemi dalë shumë deputetë, kanë dalë shumë aktivistë. Mirë që ka ndodhë marshi, ka dërgu një porosi por Vetëvendosja ka qenë në shesh më 2015. Unë kam qenë në shesh para Kuvendit duke protestu kundër kësaj gjykate më 2015, dmth është dakord me marshin por ka të tjerë që kanë protestuar më 2015 kundër gjykate”, ka thënë Rrustemi.

Duke folur për deputetët që votuan pro themelimit të Speciales, Rrustemi tha se deputetët mund të kenë patur pikëpamje tjetër rreth ecurisë, porse nuk mund të ketë detyrim që ta imponon themelimin e një gjykate të tillë.

“Kam përshtypjen sikur kanë pasur një pikëpamje krejt tjetër rreth ecurisë, por ka qenë gabim themelimi. Nuk mund të ketë detyrim që të imponon një vendim për themelimin e një Gjykatë të tillë jashtë vendit për UÇK-në dhe eksponentë të UÇK-së, marrë parasysh që lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë. Nuk mund të flas për motivet dhe gjendjen e tyre në kohën kur e kanë themeluar, mund të flas për kundërshtimin tonë, por ju përket atyre që e kanë votuar edhe të shpjegojnë dhe të distancohen nga votimi”, ka deklaruar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat