Sveçla dhe homologu i tij slloven flasin për bashkëpunimin në fushën e sigurisë

Aktuale

Sveçla dhe homologu i tij slloven flasin për bashkëpunimin në fushën e sigurisë

Më: 4 prill 2023 Në ora: 11:02
Foto nga takimi

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla po qëndron për vizitë zyrtare në Slloveni, ku është pritur nga homologu i tij slloven, Boshtjan Poklukar, me të cilin ka biseduar për rëndësinë e bashkëpunimit në mes të dy vendeve dhe dy ministrive në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit.

Në një postim në Facebook, Sveçla ka shkruar se me ministrin slloven kanë ritheksuar edhe njëherë marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe dy policive.

Postimi i tij i plotë:

Kënaqësi të pritem në takim nga homologu im, ministri i Punëve të Brendshme slloven, Boshtjan Poklukar. Diskutuam lidhur me rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit në mes të dy vendeve dhe dy ministrive në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit.

Falënderova Ministrin për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe rëndësinë që të vazhdojmë tutje në fushat tona prioritare të përbashkëta me qëllim të rritjes së sigurisë kombëtare, rajonale e më gjerë.

Ministrin Poklukar e njoftova lidhur me progresin që vendi ynë ka shënuar në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe luftimit të kontrabandës anë e mbanë Kosovës si dhe biseduam për rëndësinë e shkëmbimit të informacionit për çështje të ndryshme kriminale me qëllim të rritjes së sigurisë.

Ministri Poklukar ritheksoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe dy policive tona si dhe potencialin që kemi për të zhvilluar dhe më tutje projekte të përbashkëta. Ai shprehu gatishmërinë e tij për mbështetje në rrugëtimin tonë të përbashkët drejt integrimit evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat