Sveçla në Slloveni: Sundimi i ligjit po vendoset në çdo pjesë të Kosovës

Aktuale

Sveçla në Slloveni: Sundimi i ligjit po vendoset në çdo pjesë të Kosovës

Më: 4 prill 2023 Në ora: 14:47
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, me ftesë të Ministrit të Punëve të Brendshme të Republikës së Sllovenisë, Bostjan Poklukar mori pjesë sot në takimin e ministrave të Punëve të Brendshme në kuadër të procesit të Brdos që po mbahet në Portorozh të Sllovenisë.

Në takim, siç u bë e ditur në komunikatë, u diskutua lidhur me rëndësinë e bashkëpunimit rajonal si dhe identifikimin e veprimeve të ndryshme në luftën kundër kontrabandimit me migrantë dhe formave të tjera të krimit, si dhe menaxhimin e ri pranimit dhe kthimit.

Ministri Sveçla theksoi se Republika e Kosovës me vite të tëra e ka dëshmuar se i kushton një rëndësi të veçantë bashkëpunimit rajonal, si parakusht për stabilitet, zhvillim të qëndrueshëm, paqe dhe siguri.

“Institucionet tona të sigurisë kanë dëshmuar se janë partner serioz në nismat rajonale, shpeshherë duke u marrë dhe si shembull i praktikave të mira jo vetëm për rajonin, jo vetëm në nivel organizativ, por edhe në luftimin e krimit të organizuar dhe kontrabandës, përfshirë kontrabandën me migrantë, trafikimin e qenieve njerëzore dhe armëve, por dhe formave tjera të trafikimit”, tha ndër të tjera Sveçla.

Ai vuri në dukje se me rritjen e numrit të aktiviteteve policore, përkatësisht të rasteve të zbulimit të kontrabandisteve është arritur që të zvogëlohet numri i migrantëve viteve të fundit.

Përkundër rezultateve të arritura, siç u bë e ditur nga ministria, Sveçla diskutoi edhe sfidat, e sidomos ato në katër komunat në veri, për të cilat kërkohet një vëmendje e veçantë, përfshirë dhe në fushën e luftimit të kontrabandës dhe rikthimit të sundimit të ligjit.

“Në këtë pikë, situata po ndryshon pakthyeshëm dhe për çdo ditë e më shumë sundimi i ligjit po vendoset si në çdo pjesë të Republikës. Gjashtëmbëdhjetë (16) rrugë ilegale të cilat ishin përdorur për zhvillimin e kontrabandës në katër komunat në veri, përfshirë dhe atë me migrantë, por edhe trafiqeve të tjera, e që ndihmonin në pasurimin e krerëve të grupeve kriminale janë mbyllur tërësisht apo janë nën kontroll të plotë të institucioneve te sigurisë”, theksoi Sveçla.

Tutje, Sveçla u përkushtua për bashkëpunim rajonal si dhe me mekanizmat e ndryshëm Evropian dhe ndërkombëtarë në adresimin e të gjitha çështjeve dhe sfidave që ndërlidhen me migrimin e parregullt, duke theksuar se të gjitha qeveritë do të duhej që përveç luftimit të migrimit të analizojnë dhe adresojnë shkaqet kryesore që çojnë njerëzit drejt migrimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat