Skandal në Konventën ndërkombëtare të turizmit të mbajtur në Tiranë – Kosova në hartë tregohet si pjesë e Serbisë, asnjë reagim nga organizatorët

Aktuale

Skandal në Konventën ndërkombëtare të turizmit të mbajtur në Tiranë – Kosova në hartë tregohet si pjesë e Serbisë, asnjë reagim nga organizatorët

Nga: F.B. Më: 5 prill 2023 Në ora: 14:00
Harta e përdorur në Konventën ndërkombëtare të Turizmit në Tiranë. Foto: Screenshot

Gazeta serbe “B92” ka shkruar për “tronditjen lidhur me hartën” e prezantuar në prapavijë të panelit të Konventës ndërkombëtare të turizmit që po mbahet në Shqipëri me organizim të ministrisë së turizmit shqiptar dhe ministres Belinda Balluku, ku “Kosova tregohet si pjesë e Serbisë”, transmeton “Bota Sot”.

Rrjetet sociale janë duke “vluar” nga reagimet për shkak të hartës e cila u prezantua gjatë mbajtjes së punimeve të Konventës Ndërkombëtare të Turizmit, në të cilën Kosova tregohet si pjesë e Serbisë.

Lajmi është transmetuar në disa medie përfshirë “Sputnjik” sipas të cilës, gjatë punimeve në panelin e ministres së turizmit Belinda Balluku dhe investuesit në Tiranë, në prapavijë të panelit diskutues u shfaq harta e Shqipërisë, në të cilën shihen qartë kufijtë me vendet përreth, ndër to edhe me Serbinë.

“Sputnjik” citon portalin shqiptar “Dosja” se në hartë Kosova është prezantuar si pjesë e Serbisë, ndërsa më e hidhura e këtij skandali është fakti se askush në Shqipëri nuk është prononcuar rreth “skandalit” në fjalë.

“Asnjëri nga anëtarët e kabinetit qeveritar, sikurse as vetë kryeministri Edi Rama, nuk ka reaguar as komentuar lidhur me hartën. Të gjithë kanë mbyllur sytë para kësaj” ka shkruar “Dosja”.

Ndër shumë reagimet në publikimin në fjalë, njëri thekson se “kjo është turp”, duke shtuar se “bile edhe hartat po vijnë nga Beogradi”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat