Mirëpritet dakordimi për të zhdukurit, kërkohet zbatimi i plotë i marrëveshjes bazë

Aktuale

Mirëpritet dakordimi për të zhdukurit, kërkohet zbatimi i plotë i marrëveshjes bazë

Më: 5 prill 2023 Në ora: 15:57
Foto ilustrim

Pajtimi mes Kosovës dhe Serbisë të martën në Bruksel për tekstin e deklaratës së personave të zhdukur po mirëpritet nga opozita dhe njohësit e procesit të dialogut. Sipas tyre, nuk mund të ketë një proces të pajtimit dhe të paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për aq kohë sa nuk mbyllen çështjet e hapura nga e kaluara. Dakordimi i kryenegociatorit të Kosovës për dialog, Besnik Bislimi dhe atij serb, Petar Petkoviq pritet t’i hapë rrugë nënshkrimit të deklaratës nga niveli i lartë në dialog, derisa konsiderohet se ky momentum pozitiv pritet të reflektojë edhe në zbatim të plotë të marrëveshjes bazë.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi thotë për KosovaPress se krahas marrëveshjes për të zhdukurit duhet të zbatohet edhe marrëveshja për energjinë. Ajo shtoi se qeveria duhet t’iu qëndrojë prapa zotimeve të veta edhe për Asociacionin e komunave me shumicën serbe.

“Marrëveshja për të pagjeturit, tema për energjinë ato tani duhet të implementohen, por edhe marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 ku është edhe çështja e Asociacionit. Ne si LDK nga dialogu kemi pritur të ketë një marrëveshje finale dhe jo një marrëveshje bazë, sepse ky proces tani do të zgjatet edhe për shumë vite të tjera. Ne presim që kjo marrëveshje të zbatohet ashtu siç është dakorduar mes dy palëve”, thotë ajo.

Ndërkaq, njohësi i procesit të dialogut, Dorajet Imeri thotë për KosovaPress se pas takimit të djeshëm ka disponim pozitiv për zbatim të marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi.

Megjithatë, ai përmend edhe obligimin që Kosova e ka në bazë të aneksit të zbatimit të marrëveshjes, ku brenda një afati të caktuar kohor duhet të fillojë së jetësuari planin për zbatimin e Asociacionit.

“Sigurisht se Kosova e ka një obligim tash përpara. Bazuar në planin për zbatimin e marrëveshjes, Kosova duhet që brenda një afati të caktuar kohor të fillojë së jetësuari planin për zbatimin e Asociacionit, përkatësisht të vetëmenaxhimit. Takimi apo ajo çka na pret varet ekskluzivisht nga veprimet që do t’i marrë Kosova në këtë drejtim...Ka një disponim pozitiv (për deklaratën për të zhdukurit) pasi nuk mund të ketë një proces të pajtimit dhe të paqes për aq kohë sa nuk mbyllen çështjet e mbetura të hapura, sidomos çështja e të pagjeturve. Konsideroj se këtu mund të ketë diçka, por Serbia është e interesuar të taktizojë në mënyrë të vazhdueshme për të penguar një dinamikë të shpejtë të zbatimit të marrëveshjes”, thekson Imeri.

Pavarësisht kësaj, Imeri thotë se Serbia përmes krijimit të tensioneve në veri mund të tentojë të prolongojë zbatimin e marrëveshjes .

“Serbia në mënyrë të vazhdueshme ka pasur këtë qasjen e prolongimit të zbatimit të marrëveshjes, pritjes për ndryshim të dinamikave të faktorëve ndikues dhe kështu me radh. Pritet prapë që të përsëritet e njëjta....pasi Serbia e ka si pjesë të strategjisë së saj prolongimin e secilës marrëveshjes. Ka të bëjë me pamundësinë që Kosova të konsolidohet si shtet në arenën ndërkombëtare dhe pamundësinë për ndonjë anëtarësim të shpejtë të organizata ndërkombëtare”, shton ai.

Në anën tjetër, kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, thënë se me marrëveshjen e dakorduar të martën në Bruksel, Serbia ka pranuar deklaratën për personat e zhdukur me dhunë, e sipas tij, kjo nënkupton hapjen e arkivave dhe prezantimin e dokumenteve sekrete mbi vendndodhjen e personave të zhdukur me dhunë.

“Për herë të parë pas shumë sfidave dhe pas 24 vitesh arritëm ta imponojmë adresimin e drejtë të përgjegjësisë për të zhdukurit, si viktima të luftës që kërkojnë zgjidhje dhe drejtësi në bazë të konventave ndërkombëtare. Prandaj më nuk do të ketë vetëm persona të zhdukur, por persona të zhdukur me dhunë nga shteti serb”, shkroi ai në “Facebook” të mërkurën.

Gjatë të mërkurës, dakordimin e mirëpriti edhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borrell, i cili u shpreh se marrëveshja për të zhdukurit është hapi i parë i përmbushjes së zotimeve nga marrëveshja bazë e 27 shkurtit në Bruksel.

Pas takimit trilateral të martën në Bruksel, Bislimi u shpreh se takimi i radhës i nivelit të lartë në dialog mund të mbahet më 22 prill.

Në kuadër të marrëveshjes bazë për dialogun dhe aneksit të zbatimit, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që çështja e të zhdukurve të trajtohet si urgjencë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat