Bajram Qerkini nuk pajtohet që të pagjeturit të quhen persona të zhdukur me dhunë

Aktuale

Bajram Qerkini nuk pajtohet që të pagjeturit të quhen persona të zhdukur me dhunë

Më: 5 prill 2023 Në ora: 19:03
Bajram Qerkini

Kosova dhe Serbia janë pajtuar për deklaratën rreth çështjes së të pagjeturve.

Mirëpo, kryetari i shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Qerkini, assesi nuk pajtohet që të pagjeturit në këtë deklaratë të quhen persona të zhdukur me dhunë.

“Unë mund t’u drejtohem si persona të zhdukur. Në qoftë se djali im është i zhdukur, dikush duhet të ma shpjegojë a është djegë, definitiv është shkrumbuar ose është përvëluar diku, kjo është e zhdukur. Ndërsa, i pagjetur është diçka tjetër, se na i kanë marrë të gjallë, i kanë marrë nga prehri i nënës dhe të thuhet i zhdukur është shumë keq. Unë kam thënë gjithmonë, ata që u thonë të zhdukur, duhet të ma argumentojë se janë të zhdukur. Nuk kemi nevojë të kërkojmë diçka të zhdukur, kemi nevojë të kërkojmë të gjallë. Nuk pajtohemi që të pagjeturit në këtë deklaratë të quhen persona të zhdukur me dhunë”, deklaroi Qerkini.

Madje, Qerkini vlerësoi që për shkaqe politike, çështja e të pagjeturve nuk po mund të shkojë përpara.

“Të gjitha këto që po bëhen, janë punë politike. Politika nuk po lejon që të shkojë përpara çështja e personave të pagjetur. Duhet të nënshkruhet një marrëveshje humane e jo politike. Derisa politika futet këtu, atëherë këta po i mbrojnë krimet”, theksoi tutje Qerkini.

Serbia dhe Kosova janë zotuar për Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit dhe aneksin e saj. BE pret që të dyja të respektojnë të gjitha detyrimet prej saj dhe të fillojnë zbatimin sa më shpejt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat