Nënshkruhet marrëveshja/ 1 milion euro për Qendrën e Inovacionit në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike

Aktuale

Nënshkruhet marrëveshja/ 1 milion euro për Qendrën e Inovacionit në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike

Më: 6 prill 2023 Në ora: 10:05
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” Qerim Qerimi

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” Qerim Qerimi, nënshkruan Marrëveshjen e Bashkëpunimit për finalizimin e projektit të Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në kuadër të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike.

Qëllimi i kësaj marrëveshje është investimi në Qendrën e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Universitetin e Prishtinës, përkatësisht Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, për rregullimin dhe furnizimin me pajisje të hapësirës së përbashkët për zhvillimin e ideve dhe projekteve inovative për personat fizik dhe bizneset fillestare (startup), me qëllim të parapërgatitjes dhe zhvillimit të veprimtarive të ndërmarrësve inovatorë.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë,  me hartimin e politikave, legjislacionit dhe instrumenteve mbështetëse në fushën e inovacionit dhe ndërmarrësisë, synon të ofroj sa më shumë hapsirë për  subjektet dhe individët që kryejnë veprimtari inovatore, qëllimi i të cilave është zhvillimi dhe realizimi i inovacioneve të produktit, shërbimit, prodhimit ose procesit, për të kontribuar në transformimin gradual të Kosovës në një ekonomi më të ardhura të larta dhe përmirësimin e mirëqenies socio-ekonomike të qytetarëve tanë.

Investimi në shumën e përgjithshme 1,000,000 euro (një milion euro) nga buxheti i Qeverisë së Republikës së Kosovës, në Qendrën e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, me hapësirë 1000m2, në kuadër të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, përfshin fazën e fundit të investimeve në vlerë 150,000 euro (njëqind e pesëdhjetë mijë euro) që do të zbatohet përmes marrëveshjes së sotme të bashkëpunimit, për investime në adaptimin e hapësirës së përbashkët për ndërmarrësit e rinjë, si dhe për krijim të bashkëpunimeve të strukturuara në mes akademisë dhe industrisë. Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë  do të ofrojë hapësire fizike dhe ekspertizë të nevojshme për shumë ndërmarrës tanë të rinjë, për mbështetje në zhvillimin e ideve inovative dhe projekteve ndërmarrëse, që nga faza e parainkubimit, inkubimit e deri të plasimi i produktit final.

 Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë synon zhvillimin e inovacionit dhe ndërmarrësisë përmes rritjes së bashkëpunimit ndërmjet industrisë dhe akademisë, i nevojshëm për të aftësuar të rinjtë tanë për të drejtuar industrinë dhe për të përshpejtuar zhvillimin e ekosistemit me rritjen e inovacionit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat