Tahiri për bllokimin e të hyrave vetanake të komunave: Vendim absurd i Ministrit Murati, antikushtetues

Aktuale

Tahiri për bllokimin e të hyrave vetanake të komunave: Vendim absurd i Ministrit Murati, antikushtetues

Më: 6 prill 2023 Në ora: 11:41
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së, Besnik Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së, Besnik Tahiri, ka reaguar lidhur me bllokimin e të hyrave vetanake të komunave nga vitet paraprake, që është bërë nga Ministria e Financave.

Tahiri ka thënë se kjo është antikushtetuese dhe e padrejtë. Ai ka kërkuar nga Ministri Hekuran Murati dhe Kryeministri Albin Kurti që të sqarojnë se mbi çfarë baze po bëhet kjo.

Deputeti i AAK’së ka përmendur edhe se si kjo çështje ishte rregulluar me amandamentin e LDK’së, kur ishte votuar Ligji për Buxhetin.

“Ka të bëjë me një vendim totalisht absurd të Ministrit të Financave, Hekuran Muratit. Unë nuk e di a janë të vetëdijshëm që me 15 dhjetor të vitit 2022, ka kalu Ligji për Buxhet. Neni 9.6 që ka fol për bilancet e pashpenzuara që kalojnë në Fondin e Kosovës është ndryshuar me amandamentin e LDK’së, me i jap të drejtë komunave që me i përdor të hyrat vetanake. Unë nuk e di a e din kryeministri, zv,kryeministri Besnik Bisimi, që është e padrejtë, është antikushtetuese dhe është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në një institucion kushtetues që ofron shërbime në të gjitha komunat e Kosovës, ndalja dhe pengesa e shfytëzimit të të hyrave vetanake. A e kuptoni që s’mundeni me punu me këtë arbitraritet? Nuk mundeni me këtë qasje dhe nuk mundeni me ndal. Mbi çfarë baze i ndalni të hyrat vetanake?A ka mundësi me shpjegu Ministri, Kryeministri…”, tha Tahiri.

Ndryshe, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se Ministria e Financave po bllokon bartjen e të hyrave vetanake të komunave nga vitet paraprake, raporton Express.

Përmes një postimi në Facebook, Rama ka thënë se janë 28.8 milionë euro të parapara për 172 projekte kapitale të Kryeqytetit për këtë vit të cilat Qeveria po ua bllokon.

Ai ka kërkuar nga Ministri i Financave, Hekuran Murati, që urgjentisht të bëjë bartjen e të hyrave vetanake të Prishtinës dhe të komunave, në të kundërtën ka thënë se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

“Nëse këto mjete nuk barten menjëherë, do të konsiderojmë se ky është një veprim i qëllimshëm i Qeverisë për të bllokuar zhvillimin e Kryeqytetit. Prandaj, si palë e autorizuar, ne do të detyrohemi t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve të Prishtinës”, ka shkruar Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat