Nëse Mustafa s’ka mundësi t’i kompensojë viktimat, përfshihet edhe Kosova – Detaje nga vendimi i Speciales

Aktuale

Nëse Mustafa s’ka mundësi t’i kompensojë viktimat, përfshihet edhe Kosova – Detaje nga vendimi i Speciales

Më: 6 prill 2023 Në ora: 15:03
Salih Mustafa

Dhomat e Specializuara të Hagës kanë vendosur që Salih Mustafa do të duhet t’i kompensojë me 207 mijë euro viktimat që kanë qenë të pranuara në aktakuzën ndaj tij.

Në një seancë të ditë së sotme kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Folia, ka bërë të ditur se pasi Mustafa është shpallur fajtor, atëherë kompensimi është obligativ.

Trupi gjykues ka vendosur që:

Viktima 8 të kompensohet me 30 mijë euro

Viktima 9 të kompensohet me 80 mijë euro

Viktima 10 të kompensohet me 60 mijë euro

Viktimat 5, 6 dhe 12 të kompensohen me nga 10 mijë euro

Viktima 11 kompensohet me 11 mijë euro dhe

Viktima 12 të kompensohet me 2 mijë euro

“Trupi gjykues gjykoi se kompensimi i secilës viktimë është një llojë dhe modaliteti më i përshtatshëm. Asnjë shumë parash nuk e kthen anëtarin e humbur të familjes dhe depresionit, dhe mundësinë për të punuar si më parë. Kompensimi mundëson njëfar lehtësimi financiar për viktimat”, tha kryetarja e trupit gjykues.

Por, kush do t’i kompensojë viktimat?

Sipas vendimit të sotëm, i pari që duhet të jetë në zinxhirin e kompensimit është ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa. Ai do të duhet të kompensojë viktimat me 207 mijë euro.

Megjithatë, gjyqtarja tha se nëse Mustafa nuk ka kushte të mundshme, atëherë duhet ta dëshmojë me dokumente të cilat ofrojnë prova për pasurinë e tij.

Këtu u përfshi edhe Qeveria e Kosovës, e cila u ftua të krijojë një buxhet për zhdëmtimin e viktimave.

“Përgjegjësinë e mban ekskluzivisht Salih Mustafa. Z.Mustafa nëse nuk zotëron mjetet e nevojshme për zbatim. Trupit gjykues konstatoi se z.Mustafa i mungojnë mjetet për zhdëmtim. Por, vendosi që si shtojcë të lëshojë vendim për urdhërimin e dorëzimit të të dhënave lidhur me z.Mustafa për të parë nëse pasuria e tij mund të përdoret për zbatimin e këtij urdhri. Fakti se z.Mustafa i mungojnë mjetet nuk e liron atë nga detyra”, tha kryegjyqtarja.

“Një nga aktorët e parë mund të jetë Kosova. I bëri thirrje Kosovës të krijojë mekanizëm për zhdëmtim. Sipas trupit gjykues kjo do të garantonte një trajtim të barabartë dhe viktimave e të dyshuarve dhe të akuzuarve në procese. Trupi gjykues rekomandoi gjithashtu krijimin e një fondi për viktimat, në rast se Kosova nuk i përmbush detyrimet për viktimat rreth një mekanizmi për zhdëmtim. Fondi duhet të mbështetet financiarisht para se të gjithash nga Kosova, por edhe shtete tjera që duan t’i mbështesin viktimat”, theksoi ajo.

Kjo, pritet t’i shkojë me ftesë Qeverisë së Kosovës.

“Trupi gjykues fton Kosovën të krijojë Kosovën mekanizëm për zhdëmtim të viktimave të Speciales. Urdhëron administratoren t’ia përcjellë Qeverisë së Kosovës këtë dokument. Rekomandon krijimin e një fondi me nismën e Speciales në rast se Kosova nuk përmbush detyrimet e saj ndaj viktimave brenda një kohe të arsyeshme”, tha kryegjyqtarja e rastit.

Salih Mustafa ishte dënuar me 26 vjet burgim për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është dënuar të premten nga Gjykata Speciale, me seli në Hagë, me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

Ai është dënuar me 10 vjet burgim për ndalim arbitrar, 22 vjet burgim për torturë dhe 25 vjet burgim për vrasje të paligjshme.

“Trupi gjykues ju dënon me vendim të njësuar me 26 vjet burgim, ku do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim”, ka thënë kryegjykatësja Mappie Veldt-Foglia, duke shtuar se krimet janë kryer ndaj shqiptarëve.

Ai është shpallur i pafajshëm për trajtim mizor.

Sipas aktakuzës, Salih Mustafa, i njohur si ‘komandant Cali’, ka qenë komandant i njësitit gueril BIA, njësit brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ky njëherësh është aktvendimi i parë i këtij institucioni lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë. Më herët, nga Dhomat e Specializuara në Hagë janë dënuar Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për pengim të administrimit të drejtësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat