“E vërteta e madhe”: Çka tha LDK-ja për gjykimin ndaj Thaçit e të tjerëve në Gjykatën Speciale?

Aktuale

“E vërteta e madhe”: Çka tha LDK-ja për gjykimin ndaj Thaçit e të tjerëve në Gjykatën Speciale?

Më: 10 prill 2023 Në ora: 20:10
Isa Mustafa- Lutfi Haziri

Që nga nesër do të fillojë dëgjimi i dëshmitarëve në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit në procesin që njihet si gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së. Me shumë vonesë, ka reaguar edhe LDK-ja përmes Lutfi Hazirit.

Debatit të madh shoqëror që shkaktoi nisja e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, e paraprirë para kësaj, nga një Marsh për Drejtësi, që ishte në përkrahje të ish liderëve të UÇK-së, sikur nuk e preku fare LDK-në. Si shumë herë të tjera, LDK-ja nuk mori pozicion për marshin sikurse partitë e tjera, por edhe e shmangu komentimin e fillimit të gjykimit.

Por, pak orë para nisjes së dëgjimit të dëshmitarëve, Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK-së, e “theu akullin”, duke e bërë publike qëndrimin e tij në Facebook.

Haziri, përmes një shkrimi, ka folur rreth “të vërtetës së madhe”.

“Për herë të tretë Kosova po përballet me të kaluarën e saj për të vendosur drejtësi. Në rastin e parë administrata e OKB-së përmes UNMIK-ut dhe Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi, në rastin e dytë misioni evropian in EULEX i cili ka provuar dhe ka marrë masa për të vendosur drejtësi në Kosovë dhe tani Dhomat e Specializuara që përfaqësojnë institucionet e Kosovës, legjislacionin e Kosovës dhe kjo duhet të barazohet me verdiktin e popullit të Kosovës. Praktikisht, Prokuroria e paraqet qëndrimin e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Gjykata jep vullnet në emër të popullit të Kosovës. Kjo është e vërteta e madhe.” – ka shkruar Haziri.

Tutje, Haziri ka folur edhe për një “të vërtetë të madhe” tjetër. Sipas tij e vërteta e madhe është se drejtësi duhet të vendoset për të gjithë, duke specifikuar kompensimin me drejtësi për viktimat dhe rastet që Dhomat e Specializuara i kanë në hetime.

Ne nuk kemi parë emra dhe eksponentë të LDK-së që do të jenë subjekt i zbardhjes së drejtësisë. Besojmë shumë që drejtësia e vendosur përmes Dhomave të Specializuara do të jetë e barabartë për të gjithë dhe uroj që pastërtia e luftës dhe pastërtia e kryengritjes dhe rezistencës politike dhe ushtarake të konfirmohet jo në dëm të askujt, duke përfshirë jo vetëm pakicat etnike, por edhe individët. Në këtë rrafsh, e vërteta e madhe është që drejtësi duhet të vendoset për të gjithë dhe kompensimi me drejtësi për viktimat dhe rastet që Dhomat e Specializuara i kanë në hetime, duhet të vendoset po ashtu.”- ka përfunduar shkrimin Haziri.

Ish- LDK-ja mbron Thaçin dhe të tjerët

Për dallim nga LDK-ja e tashme, e cila as nuk doli e as nuk e përkrahu "Marshin për Drejtësi", e as nuk folën deri të hënën e 10 prillit, ish-LDK-istët folën. Ata e mbrojtën Thaçin dhe të tjerët, madje duke përkrahur edhe Marshin për Drejtësi, e duke përmendur figurën e liderit të tyre historik, Ibrahim Rugova. Isa Mustafa, ish-kryetar i LDK-së, përmes një postimi, një ditë para këtij marshi, tha se me dëshirë do të ishte aty.

“Marshojmë për Drejtësi”, një manifestim që meriton përkrahje e solidarizim!

Meriton respekt e përkrahje lufta e UÇK-së dhe meritojnë drejtësi luftëtarët e saj që dolën në ballë për të ndalur masakrat e shtetit serb dhe gjenocidin ndaj shqiptarëve. Kosova sot është e lirë falë luftës së UÇK-së, mençurisë politike të Ibrahim Rugovës dhe ndërhyrjes së NATO-s. Kemi qenë bashkë në kohërat më të vështira; jemi solidar sot me të gjithë ata që kontribuan për liri e pavarësi dhe me ata që ishin shembull i gatishmërisë për të zbardhur çdo dyshim në luftën e drejtë dhe të pastër, sepse besonin në Drejtësi!

Me mendje jam me ju që do të marshoni për Drejtësi.”- ka shkruar Mustafa.

Edhe një eksponente e rëndësishme e LDK-së, deri para “reformimit” të kësaj partie, Milihate Tërmkolli, doli në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së.

Tërmkolli e nxitur nga deklarata e Hashim Thaçit në Hagë, i cili tha se “i vinte keq që Rugova nuk është gjallë, për të dëshmuar pro tij”, përmes një shkrimi në Facebook ajo e “vulosi” këtë pretendim të z. Thaçi, duke shkruar se e pakta që Rugova në këtë rast do të bënte, do të ishte të dërgonte një letër Gjykatës Speciale.

“Po të ishte Presidenti Rugova, e pakta që do të bënte dje, ai do të niste një letër Gjykatës Speciale në mbrojtje të luftës së UҪK-së dhe popullit të Kosovës për çlirim nga okupatori gjenocidal serb dhe do të uronte pafajësinë e të gjithë të akuzuarëve. Burrështetasi e patrioti i vërtetë, në rend të parë vë interesin e shtetit!

Asnjë fjalë nga Presidentja, tani! Asnjë fjalë nga Kryeministri, tani!– shkroi Tërmkolli.

Kujtojmë se deputetja e LDK-së, Marigonë Geci ishte e vetmja e cila haptas, para deputetëve të Kuvendit, foli për çështjen e babait të saj, Gani Geci, duke e akuzuar Thaçin, madje edhe duke i “shtrëmbëruar” emrin e tij, për komunikatën 59.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat