Rasti Bejta, rektori Qerimi: Jemi në pritje të vendimit përfundimtar të Këshillit të Etikës

Aktuale

Rasti Bejta, rektori Qerimi: Jemi në pritje të vendimit përfundimtar të Këshillit të Etikës

Më: 12 prill 2023 Në ora: 13:38
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi deklaroi sot se rastin e profesorit të UP-së, Bekim Bejta e kanë shqyrtuar me urgjencë, me ç’rast, atë e kanë suspenduar për gjashtë muaj.

Megjithatë, sa i përket shkarkimit të profesorit, Bejta, ai tha se janë në pritje të vendimit përfundimtar të Këshillit të Etikës.

Pas mbledhjes së mbajtur me Përfaqësuesit e Parlamentit Studentor, Qerimi u shpreh se të gjitha denoncimet që janë të hapura do të shqyrtohen nga Këshilli i Etikës.

“Sërish, denoncimet që janë të hapura do të shqyrtohen nga Këshilli i Etikës, sepse është kompetenca e atij Këshilli, prandaj, ne do të presim vendimin përfundimtar të Këshillit të Etikës”, tha Qerimi.

I pyetur nëse do të ketë vendim për shkarkimin e profesorit në fjalë, Qerimi tha se në këtë mënyrë nuk kanë pasur ndonjë rekomandim të tillë nga njësia përkatëse.

“Ne do të veprojmë, kur emërojmë dikë ta zëmë si senat akademik ose kur e avancojmë dikë në thirrje akademike, këtë e bëjmë mbi bazën e propozimit të njësisë përkatëse akademike dhe në këtë mënyrë ne nuk kemi pas ndonjë rekomandim të tillë nga njësia përkatëse, ankesë ose denoncim institucional zyrtar.

Gjithë ajo çfarë kemi pasur ka qenë vendimi i fundit i Këshillit të Etikes, i cili gjithashtu nuk rekomandon ndonjë masë specifike. Por, duke pas parasysh se ka denoncime të hapura dhe në pritje të një vendimi nga ana e Këshillit të Etikes për të, ne morëm vendimin e sotëm për suspendim efektiv të menjëhershëm”, u shpreh ai.

Qerimi tha se ajo çfarë ka ndodhur ndër vite në lidhje me profesorin, Bekim Bejta, është problem real, porse ka pasur vendime të ndërkohëshme.

“Ajo çfarë ka ndodhur ndër vite në të vërtetë është problemi real, sepse denoncimi i parë ndaj tij ka qenë në vitin 2016 dhe ka pas disa vendime të ndërkohshme gjatë atyre viteve, prandaj, për ato mund të pyesni dikë tjetër pse nuk është ndërmarrë asgjë…

Ndërsa, sa i përket Këshillit të Etikës, ne po punojmë që t’i mbështesim ata në kuptim institucional që ata të jenë në një pozicion të veprojnë në mënyrë më efikase”, tha mes tjerash Qerimi.

Nëse ka ankesa të tilla edhe për profesorë të tjerë, rektori i UP-së tha se nuk janë në dijeni për ankesa të tilla.

“Nuk jam në dijeni të ankesave ndaj profesorëve të tjerë, sigurisht se ne kemi menaxhmentet e njësive akademike, ato kanë komisionet e tyre disiplinore, studentet kanë përfaqësuesit e tyre e gjithashtu kanë mundësi që të ngrisin në çdo kohë ankesa”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat