Sylë Hoxha: Prokuroria është dashur ta kualifikojë më ndryshe rastin e sulmit ndaj Valon Sylës

Aktuale

Sylë Hoxha: Prokuroria është dashur ta kualifikojë më ndryshe rastin e sulmit ndaj Valon Sylës

Më: 12 prill 2023 Në ora: 16:43
Sylë Hoxha

Ish-prokurori special Sylë Hoxha vlerëson se Prokuroria është dashur që sulmin ndaj gazetarit Valon Syla ta kualifikonte si një vepër më të rëndë e jo si “lëndim i lehtë trupor”. Si rrethanë, për kualifikim më të rëndë, ai konsideron se do të duhej të merrej fakti se nuk është hera e parë që po sulmohen gazetarët.

Gazetari Valon Syla, që u sulmua fizikisht mbrëmë nga tre persona të panjohur, është sulmuar më shumë nga prokuroria me kualifikimin që i është bërë rastit, thonë njohësit e çështjeve të drejtësisë.

Ish-prokurori special, Sylë Hoxha tha se kualifikimi ndaj sulmit që i është bërë gazetarit Syla do të duhej të bëhej si një vepër më e rëndë.

“Një praktikë është në prokurori, çdo herë kanë shku te veprat pak më të rënda, por gjatë zhvillimit të hetimeve kanë mundur me zbritë më poshtë me kualifikime. Në rastin konkret edhe unë mendoj që ka qenë më e rrugës me shku me një vepër pak më të rëndë, me lëndim të rëndë, mirëpo ato vërtetohen sipas ekspertizës së mjekut, ai çka vlerëson. Ne nuk e dimë në tërësi, por tu pas parasysh edhe personalitetin e tij edhe që nuk është hera e parë që po sulmohen gazetarët. Besoj që kishte me qenë më e rrugës me shku me një kualifikim pak më të rëndë e që gjatë zhvillimit të hetimeve ishte vërtetu edhe karakteri i lëndimeve edhe kualifikimi më adekuat i veprës”, tha Hoxha.

Por ai shton se pas marrjes së ekspertizës së mjekut, lënda mund të rikualifikohet varësisht nga lëndimet e marra.

“Tash me rikualifiku, prokuroria mundet vetëm kur e merr ekspertizën. Nëse ekspertiza thotë se ka lëndime të rënda atëherë mundet se pa ekspertizë nuk mundet me luajtë kështu, i bie si formë paushalle. Duhet me pritë edhe ekspertizën me korrigju, lidhur me karakterin e lëndimeve”, tha Hoxha.

Juristja e të drejtës së mediave, Flutura Kusari, pati kritika edhe ndaj Prokurorisë Themelore të Prishtinës, e cila e cilësoi rastin e sulmit ndaj Sylës veç si “lëndim i lehtë trupor”.

Sipas saj, këtu fillon dështimi i shtetit për t’i siguruar gazetarët.

“Prokuroria e paska cilësu sulmin ndaj Valonit si “lëndim të lehtë trupor”. Këtu fillon dështimi i shtetit me i siguru gazetarët. Djalit i ka shku gjaku lum neper trup prej lendimeve ne koke, i kam pa fotot, e kane qepe dhe keta e kualifikojne si lendim te lehte trupor. Sulmi fizik eshte sulmi gati me brutali ndaj gazetareve, me rende eshte vetem vrasja. Ky sulm nuk eshte lendim i lehte trupor. Nuk eshte!  Turp per prokurorine. Turp”, shkroi Kusari në Facebook-un e saj.

Ndërsa, avokati Tomë Gashi tha se për shkak të kualifikimeve të lehta, sulmuesit inkurajohen. Ai edhe shtroi pyetje se nëse do të sulmohej një prokuror, a do të kualifikohej rasti si “lëndim i lehtë trupor”.

“Kualifikim juridik qe eshte me i rende se sulmi ndaj gazetarit – opinionistit Valon Syla! Nuk e sulmuan Valonin tre persona per t’i shkaktuar lendime te lehta. Per shkak te ketyre kualifikimeve juridike – ‘te lehta’ – sulmuesit inkurajohen.  Vec paramendone tre persona me e sulmu nje prokuror per shkak se nuk iu pelqen ndonje vendim i tij, a do ta kualifikonte prokuroria si ‘lendim te lehte trupor’?!  Valoni eshte sulmuar nga tre persona vetem per shkak te opinioneve te tij. Ne nje shtet ligjor kjo nuk do te duhej te ndodhte kurre, e nese ndodhe nuk mund te klasifikohet si lendim i lehte! Dje i ka ndodhur Valonit, sot mund t’i ndodhe dikujt tjeter! Prokurori, kthjellu”, ka shkruar avokato Gashi në Facebook-un e tij.

Për sulmin që iu bë mbrëmë Valon Sylës, Prokuroria Themelore e Prishtinës tha se po zhvillon hetime në mënyrë intensive.

“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është cilësuar “Lëndim i lehtë trupor”, sipas KPRK-së dhe në vazhdimësi janë duke u zhvilluar hetime në mënyrë intensive, me qëllim të sqarimit të rrethanave të këtij rasti, si dhe identifikimit e sigurimit të prezencës së të dyshuarve në procedurën penale”.

Ndërsa, policia ka deklaruar se ndërsa të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë me targa vendore.

Rreth dy javë më parë Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës publikoi raportin vjetor “Treguesit e nivelit të lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve” për vitin 2022, i cili konstatoi se kemi rritje të sulmeve ndaj gazetarëve.

Sipas gjetjeve të këtij raporti, gjendja e sigurisë së gazetarëve vazhdon të jetë e rëndë, numri i sulmeve në drejtim të gazetarëve ka shënuar rritje nga 29 në vitin 2021, ka shkuar në 33 në vitin 2022, ndërsa vihet më në pah tendenca për heshtje të gazetarëve nëpërmjet padive SLAPP.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat