Incidentet në Veri/A ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve më 23 prill?

Aktuale

Incidentet në Veri/A ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve më 23 prill?

Më: 12 prill 2023 Në ora: 18:03
Policia e Kosovës

Një shtetas serb u plagos të martën në Veri nga Policia e Kosovës.

Incidenti pasoi incidentet paraprake të djegies së disa veturave me targa RKS atje në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Zyra e Presidentes për zgjedhjet në veri: KQZ organizon zgjedhje, situatën e sigurisë e ka Policia

Të planifikuara më 23 prill, shtyrjen e mundshme të tyre shkaku i këtyre ndodhive nuk e kanë konfirmuar nga Presidenca.

“Janë aspekte ligjore. KQZ organizon zgjedhje. Situatën e sigurisë e ka Policia. Ata janë reaguesit e parë. Jo ne”, u shpreh Bekim Kupina, këshilltar për medie në Presidencë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani shtyu zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri në dhjetor të vitit të kaluar.

Si atëherë, edhe tash procesin zgjedhor e ka bojkotuar Lista Serbe, duke kërkuar formimin e Asociacionit.

KQZ e ka bërë të qartë se po vazhdon përkundër sfidave përgatitjet në kuadër të planifikimeve dhe se janë përgjegjës pos për procesin zgjedhor në aspektin teknik.

“Si KQZ jemi të përkushtuar që t’i përmbushim detyrat tona kushtetuese dhe ligjore me qëllim të organizimit të këtij procesi zgjedhor”, u shpreh para medieve zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi.

Në Veri insistojnë që ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve.

Kandidati i Iniciativës Qytetare “Mitrovica” për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Betim Osmani ftoi madje serbët të dalin në votime.

“Besoj se nuk do të ketë tensione dhe zgjedhjet do të shkojnë mirë. Ka kushte me u mbajt zgjedhjet. I ftoj edhe serbët me dalë me votu më 23 prill”, tha shkurt ai.

Ngjashëm mendon edhe Skender Sadiku, zëvendëskryesues i Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Veriut.

Zgjedhjet janë jetike dhe duhet të mbahen sepse nuk kemi administratë, drejtori, të cilat janë duke e afektuar shumë jetën e qytetarëve në Veri”, potencoi ai.

Në anën tjetër njohësi i sigurisë Drizan Shala po kërkon që të mblidhet Këshilli i Sigurisë për të vendosur rreth mbarëvajtjes ose jo të zgjedhjeve.

“Fjalën e fundit duhet ta thotë Këshilli i Sigurisë. Pas analizimit të situatës të përcaktojë se a ka mundësi apo kushte të mbahen zgjedhjet”, u shpreh Shala.

Lista Serbe ka përsëritur qëndrimin e saj të mëparshëm se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, derisa të plotësohen kërkesat e saj, që janë: formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe tërheqja e të gjitha njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat