Analistët të bindur që zgjedhjet në veri të Kosovës do të shtyhen

Aktuale

Analistët të bindur që zgjedhjet në veri të Kosovës do të shtyhen

Më: 12 prill 2023 Në ora: 21:51
Ilustrim

Analistët, Dorajet Imeri dhe Arton Demhasaj, kanë ndarë mendime të njëjta, që zgjedhjet në veri të Kosovës nuk do të mbahen, e të cilat janë paraparë që të realizohen në katër komunat veriore më 23 prill.

Imeri në emisionin “Këndi i Debatit” ka thënë se nëse eventualisht mbahen zgjedhjet, atëherë do kthehet jeta institucionale dhe mundësohet zhvillimi i proceseve vijuese.

“Nëse eventualisht mbahen zgjedhjet, kthehet jeta institucionale atje, mundësohet zhvillimi i proceseve vijuese. Qytetarët serb nuk i pyet askush, ata janë viktima të një  instrumentalizimi të jashtëzakonshëm që ju bëhet edhe kërcënimi madje dhe vetë fakti që janë djeg veturat që kanë regjistrim të Kosovës, tregon qartazi se ata kanë marrë një mesazh, dhe mesazhi është diferencim me serbët që i pranojnë institucionet e Kosovës dhe tregues kushtimisht i faktit për ata që do ta ndjekin fatin e njëjtë”, ka thënë analisti.

Imeri duke parë qëndrimin e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, ka thënë se do të ketë shtyrje të zgjedhjeve.

“Duhet një trysni e jashtëzakonshme e Bashkësisë Ndërkombëtare, pa çka se tash është e pamundur se nuk janë certifikuar ata në një Komision Qendror të Zgjedhjeve, dhe sa e pash qëndrimin e ministres Haxhiu vërej që në sfond kemi shtyrje të zgjedhjeve. Sepse, vetë mbajtja e tyre do të prodhojë institucione për të cilat ligjshmëria dhe kredibiliteti i tyre do të jetë në diskutim dhe prandaj komplet procesi vijues do të mbetet në një vakum të ri ose në një rrugë pa dalje dhe ky është qëllimi përfundimtar momental i Serbisë”, ka shtuar ai.

Ndërsa analisti Demhasaj ka thënë se është e pamundshme të mbahen zgjedhjet në veri, duke shtuar se është rrezik për Kosovën me hy në një proces zgjedhor.

“Mendoj që është e pamundshme me mu mbajt zgjedhjet në veri. Po flasim për një situatë të vështirë të sigurisë. Nuk ka kushte elementare për me u mbajtë zgjedhjet në veri. Është rrezik për Kosovën me hy një procesi zgjedhor në veri”, deklaroi analisti.

Sipas Demhasaj, procesi zgjedhor mund t’i ketë dy skenarë, ku përmend se mund të ketë edhe vrasje të njerëzve në veri, ose pjesëmarrje të vogël të qytetarëve në votime.

“Procesi mund të ketë dy skenarë. E para ai proces mund të ketë eksese të mëdha deri tek vrasja e njerëzve atje. Rreziku është që me pas një proces të përgjakshëm dhe Kosovës nuk i duhet. Alternativa e dytë është se mund të ketë një proces zgjedhor mirëpo pjesëmarrja e qytetarëve mund të jetë e ulët dhe zgjedhjet mund të konsiderohen jo legjitime”, shtoi ai në “Këndi i Debatit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat