E vërteton edhe Supremja: Qytetarëve iu faturua jashtëligjshëm rryma e shpenzuar në veri

Aktuale

E vërteton edhe Supremja: Qytetarëve iu faturua jashtëligjshëm rryma e shpenzuar në veri

Më: 13 prill 2023 Në ora: 12:44
Foto ilustrim

Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor të parashtruar nga Zyra e Rregullatorit për Energji, kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit.

Sipas Supremes nuk janë të qëndrueshme pretendimet lidhur me arsyetimin e mosinkasimit në katër komunat e veriut me shkaqe sigurie dhe mospasjes qasje në leximin e njehsorëve në atë pjesë, sepse Supremja konsideron se nuk justifikohet që qytetarët tjerë për këto arsye të ngarkohen me pagesën e energjisë elektrike të harxhuar pa një bazë ligjore.

Prandaj, sipas Gjykatës Supreme, me këtë faturim dhe pagesë është bërë trajtim jo i barabartë i qytetarëve të Kosovës, e që bie ndesh me nenin 55 paragrafi 4 i Kushtetutës, trajtim i pabarabartë, të cituar si në aktgjykimet e gjykatave të instancave më të ulëta, sepse është bërë kufizim i të drejtave të njeriut.

“Andaj bazuar në nenin 194 të LMD, konsumatorët, të cilët pa bazë ligjore dhe pa dijeninë e tyre janë faturuar dhe kanë paguar për energjinë e shpenzuar në veri, u lindë e drejta për kthimin e shumës së paguar si kanë vendosur gjykatat e instancave më të ulëta”, thuhet në vendimin e Supremes.

“Në konfliktin administrativ, sipas padisë së paditësit, Avokati i Popullit kundër të paditurës, Zyra e Rregullatorit për Energji, (ZRRE), me bazë juridike, anulim i vendimit të paditurës duke vendosur sipas kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor të parashtruar nga e paditura ZRRE, kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, kolegji i Gjykatës Supreme, në seancën e mbajtur me datë 09 mars 2023, e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, të parashtruar nga ZRRE”, thuhet në vendim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat