Tomë Gashi: Ka diçka që Prokurorinë po e mban peng që nuk po e mbyll rastin e Deharit

Aktuale

Tomë Gashi: Ka diçka që Prokurorinë po e mban peng që nuk po e mbyll rastin e Deharit

Më: 14 prill 2023 Në ora: 00:24
Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi

Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi thotë se ka diçka që Prokurorinë po e mban peng që nuk po e mbyll rastin e ish-aktivistit, Astrit Deharit.

Ai theksoi se askush nuk po e ndalon prokurorin ta bëjë një gjë të tillë.

“Dhe gjithçka sillet rreth asaj që ka diçka që Prokurorinë po e mban peng apo po ka disa pengesa jo juridike, jo ligjore, që nuk po e mbyll rastin, apo së paku që nuk po e hap rastin për me hetu në drejtim të vrasjes…Mundet me pas pengesa tjera, por juridike dhe ligjore, dyjat ja lejojnë prokurorit, edhe nëse prokurori ka një bindje të njëjtë, në bazë të provave, se këtu nuk ka të bëjë me çështje tjera. Nuk ka të bëjë me çështje filozofike, i sheh provat në çfarë drejtimi po të qojnë. Nëse ai menon që ka prova që me mbyll rastin të kundërtën e vrasjes, le të mbyll bre, kërrkush s’po ja ndalon, kërrkush nuk po i bon kurrfarë presioni, kërrkush nuk po i shkon te zyrja. Do të thotë ai ka kryer një mori veprimesh, edhe pa prezencën time, edhe i ka kry krejtësisht në mënyrë të fshehtë”, deklaroi ai në “Info Nata” në Tëvë 1.

Gashi tregoi edhe një rast, që sipas tij, prokurori ka vepruar në mënyrë të fshehtë ndaj tij, e që kjo siç thotë ai, është shkelje ligjore.

“Për shembull, prokurori në një fazë diku para dy viteve ka shku ka bë rekonstruim të vendit të ngjarjes në qelinë ku ka qenë Astrit Dehari, pa më njoftu mu fare. Ai kë ka me njoftu, familjen e Astrit Deharit jo, mu jo. Dhe oficerët e Policisë, ata më kanë njoftu…pa prezencën time është shkelje ligjore, sepse atëherë prokurori paska pas diçka me fsheh”, potencoi ai.

Avokati Gashi shtoi se prokurori asnjëherë nuk u është përgjigjur brenda katër vitesh.

Ish-aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari ka vdekur më 5 nëntor të vitit 2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat