Vrasja e policit nga kolegu i tij në Zllatar, del në gjykata i akuzuari: Kjo ishte deklarata e tij

Aktuale

Vrasja e policit nga kolegu i tij në Zllatar, del në gjykata i akuzuari: Kjo ishte deklarata e tij

Më: 14 prill 2023 Në ora: 13:39
Ish-polici, Fatlum Mehmeti

Ish-polici, Fatlum Mehmeti është deklaruar i pafajshëm se nga “dashja eventuale”  kishte vrarë policin L.H, në shkurt të 2022-ës, në një organizim shoqëror në Zllatar të Prishtinës.

Po ashtu, i akuzuari Mehmeti në fillim të seancës shprehi keqardhjen dhe ngushëllimet e tij ndaj familjes së të ndjerit L.H raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Shpreh dhimbjen time shpirtërore për mungesën e kolegut dhe shokut tim LH. Familjes së tij të nderuar i shpreh ngushëllimet e mia ma të sinqerta nga thellësia e zemrës. Unë ju garantoj se për të vërtetën dhe vënien në vend të drejtësisë për shokun tim unë do jem krahu juaj i djathtë dhe mbështetësi juaj më i madh sepse këtë ia kam borxh L.H dhe familjes së tij, familjes sime dhe kolegëve të mi, sigurisht edhe vetes sepse drejtësia për të ndjerin është edhe një lloj lirimi shpirtëror për mua”, tha i akuzuari Mehmeti.

Ndryshe në këtë seancë është ftuar të dëgjohet dëshmitari Florent Ahmeti, mirëpo kryetari i trupit gjykues Kushtrim Shyti ka bërë të ditur se i njëjti mungon në seancë ndërsa mungesën nuk e ka arsyetuar përkundër faktit se është ftuar në mënyrë të rregullt.

Paraprakisht, në fillim të seancës është lexuar aktakuza nga prokurori i shtetit Ilaz Beqiri, ndërsa më pas seanca ka vazhduar me fjalën hyrëse të palëve në procedurë.

Prokurori Beqiri, në fjalën hyrëse deklaroi se në këtë çështje penale, prokuroria ka zhvilluar hetimet dhe ka siguruar prova të mjaftueshme, e me administrimin e tyre sipas tij pa asnjë mëdyshje do të vërtetohet se i akuzuari Mehmeti ka kryer veprën penale e cila i ngarkohet.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar L.H, avokati Besnik Berisha, tha se i akuzuari Mehmeti më 18 shkurt 2022 kishte shpërfillur të gjitha rregullat e mësuara në Akademi të Policisë dhe pa asnjë arsye kishte manipuluar me armë duke e privuar nga jeta të ndjerin L.H.

Avokati Berisha shtoi se gjatë kësaj procedure do të provohet se i akuzuari Mehmeti nuk kishte asnjë arsye që ta tërheqë armën nga brezi i tij për ta vendosur në xhaketën të cilën as nuk e kishte në trup.

“…sikurse do provohet se lojërat me armë, ai nuk i kishte sefte por i parapëlqente që t’i bënte shpeshherë madje në kushtet me rrezikshmëri të lartë, ku gabimi mund të ishte fatal e ku pendimi nuk do të kishte vlerë”, tha avokati Berisha.

Ai po ashtu shtoi se lista e dëshmitareve që do dëgjohen dhe vetë mbrojtja e të akuzuarit do të provojnë se ka dashje eventuale në këtë rast, pasi që i akuzuari ka qenë në dijeni për pasojën që mund ta shkaktojnë veprimet e tij.

Në anën tjetër mbrojtësi i të akuzuarit Mehmeti, avokati Labinot Buzuku e ka elaboruar fjalën e tij hyrëse të cilën paraprakisht e ka dorëzuar në formë të shkruar.

Ai fillimisht i shprehi ngushëllime familjes Haxholli në emër të tij personal si dhe në emër të familjes Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat