Kadaj-Bujupi mban fjalim si këshilltare e Osmanit: Bashkimi i zërave tonë për të dënuar dhunën seksuale

Aktuale

Kadaj-Bujupi mban fjalim si këshilltare e Osmanit: Bashkimi i zërave tonë për të dënuar dhunën seksuale

Më: 14 prill 2023 Në ora: 18:11
Donika Kadaj-Bujupi

Donika Kadaj-Bujupi e cila u emërua këshilltare e Presidentes Osmani së fundmi, ka mbajtur një fjalim në marshin e mbajtur sot, me rastin e 14 prillit – Ditës së të Mbijetuarave të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ish deputetja e VV-së dhe AAK-së, Kadaj-Bujupi ka thënë se të mbijetuarit e dhunës duhet të jenë në qendër të procesit të shërimit të shoqërisë kosovare.

“Të mbijetuarat e të mbijetuarit e dhunës duhet të jenë në qendër të procesit të shërimit të shoqërisë sonë.

Duke kujtuar viktimat, duke njohur e përkrahur të mbijetuarit dhe duke mbajtur përgjegjës kriminelët, sigurohemi që e kaluara të mos përsëritet dhe e ardhmja të jetë më e sigurt për secilin nga ne.

Miratimi i propozimit të Presidentes Osmani për ta shpallë 14 prillin- Ditë të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, dëshmon angazhimin dhe vullnetin e saj të vazhdueshëm për të qenë afër të mbijetuarve, në mënyrë që zërat e tyre të dëgjohen, historitë e tyre të njihen dhe drejtësia për ta të vendoset.” ka thënë ajo.

Tutje këshilltarja e Presidentes, ka thënë se 14 prilli do të jetë bashkimi i zërave tonë për të dënuar dhunën seksuale.

“Le të jetë kjo ditë në shërbim të kujtesës sonë kolektive, le t`i dëgjojmë rrëfimet e tyre të zhveshur nga stigma, ngase ata dhe ato dëshmuan se pavarësisht përpjekjeve çnjerëzore kundrejt tyre, nuk arriti askush t`i thyejë.

Të mbijetuarit e dhunës janë kujtesa jonë kolektive, janë dëshmi e kohës, janë e vërteta jonë të cilën e mbrojmë sot dhe do ta mbrojmë kurdo e kudo!

Sot Vasfija, Shyhretja, por edhe të gjithë ata burra e gra, janë zëri ynë. Siç e ka thënë Presidentja Osmani, në propozimin e saj për caktimin e kësaj dite, shënimi i 14 prillit do të jetë vulosje e përhershme e një kapitulli të dhimbshëm e tragjik të historisë sonë, do të jetë bashkim i zërave tonë për të dënuar dhunën seksuale si armë të luftës në Kosovë dhe kudo në botë”, ka thënë Donika Kadaj-Bujupi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat