​Alban Ajeti shpallet hero i Universitetit të Tetovës, Kurti: Mori diplomën e dëshmorit

Aktuale

​Alban Ajeti shpallet hero i Universitetit të Tetovës, Kurti: Mori diplomën e dëshmorit

Më: 14 prill 2023 Në ora: 19:00
Albin Kurti

Universiteti i Tetovës ka shpall hero dëshmorin Alban Ajeti në përvjetorin e 24-të të rënies së tij. Në akademinë përkujtimore të jetës dhe veprës së tij, u vlerësua lart figura e luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili la studimet për t’u bashkuar në luftimet kundër forcave serbe në Zhegoc të Epërm të Gjilanit, ku edhe ra dëshmor.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se sot po kujtojnë veprën e heroit, Alban Ajeti, itineraret e të cilit, bashkë me ato të dëshmorëve të tjerë, ndërtojnë hartën e lirisë së kombit.

Ai tha se shtigjet e hapura nga dëshmorët e lirisë, duhet të mbahen gjithmonë të hapura.

Kurti: Itineraret e rrugëve që kanë ndjekur dëshmorët e ndërtojnë hartën e lirisë

Itineraret e rrugëve që kanë ndjekur dëshmorët, e ndërtojnë hartën e lirisë së kombit, në të cilën çdo vend dhe çdo udhë, duhet regjistruar dhe shënjuar me përpikëri! Janë pikërisht këto shenja, ato që na kërkojnë që për të kujtuar një dëshmor nga Gjilani, të vijmë prej Prishtinës këtu në Tetovë. Nëpër rrugët e lirisë, shpesh herë, dëshmorët janë njëkohësisht edhe shtrues rrugësh edhe udhëpërshkrues. Është detyrë e jona pastaj, që shtigjet e hapura nga dëshmorët e lirisë, t’i mbajmë gjithmonë të hapura, për çka është e nevojshme që ato shtigje të shkelen dhe vendet ku shpien ato të vizitohen kohë pas kohe e sa më shpesh. Ka shumë mënyra për të ndjekur rrugët e bëra nga heronjtë dhe dëshmorët: nga të mësuarit për idealet e tyre, e deri te pasimi i atyre idealeve. Në rastin e dëshmorit Alban Ajeti ne mund të orientohemi në veprën dhe jetën e tij përmes fjalëve të vetë Albanit, ashtu siç ai i ka artikuluar dhe radhitur në poezitë e tij, të cilat ai i shihte mjaftueshëm të rëndësishme sa për t’i ruajtur deri në fshehtësi”, tha ai.

Kreu i ekzekutivit tha se Alban Ajeti këmbeu statusin e studentit me atë të luftëtarit të lirisë, duke marrë ‘diplomën e dëshmorit’.

Kurti: Alban Ajeti këmbeu statusin e studentit me atë të dëshmorit

“Vërtetë, jetët e dëshmorëve janë prerë nëpër beteja, por zgjatimet e tyre shtrihen nga e kaluara e kohës së luftës drejt të tashmeve tona, në pafund forma, sikur sot këtu në Tetovë, që jemi mbledhur ta kujtojmë veprën e Alban Ajetit, studentit të Universitetit të Tetovës, poetit kronist nga Gjilani dhe “Pëllumbit” dëshmor të UÇK-së. Njëmend, Albani nuk arriti t’i përmbyllte studimet për farmaci dhe nuk arriti të merrte diplomë nga Universiteti i Tetovës, sepse koha ia kërkoi që statusin e studentit ta këmbente me atë të luftëtarit të lirisë. Por, pikërisht duke luftuar për lirinë e Kosovës, ai e mori diplomën e dëshmorit të kombit, diplomë që asnjë universitet në botë nuk mundet ta lëshojë, e të cilën Albani e mori nën emblemën e UÇK-së. Është pikërisht kjo diferencë, ajo që e bën historinë dhe ajo që na ka mbledhur bashkë sot këtu, për të kujtuar Albanin dhe shokët e tij në armë”, u shpreh Kurti.

Vëllai i dëshmorit, drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti tha se brenga e Albanit ishte çlirimi i Kosovës.

Ajeti: Brenga e Albanit përmblidhej në një qëllim, çlirimin e Kosovës

“Brengat e vet Albanit përmblidheshin në një qëllim, në çlirimin e Kosovës. Kjo brengë i mori edhe jetën Albanit, sikurse edhe shumë ushtarëve të tjerë të UÇK-së, të cilët duke luftuar deri në vdekje u vetëflijuan rrugës për lirinë e Ksoovës. Këtë brengë albani e la të shkruar në poezi, vetëm disa muaj pa rënë dëshmorë, po e citoj: ‘Atdheun do ta nderoj me vdekjen për të, e mos më qani mua atë ditë, se detyrën duhet ta kryej, veç buzën në gaz mbajeni, shokë e familje’... Brenga e Albanit, u realizua më pas, nga luftëtarët e tjerë të UÇK-së, që e vazhduan luftën e disa prej të cilëve e vazhduan rrugën edhe më tutje duke u bërë bartës të proceseve të shtetndërtimit të Republikës të Kosovës... Kurse brengën e ruajtjes së kujtimit për të dhe shokëve të tij, shpresojmë që do ta dimë ta bartim me kujdes nga një brez në tjetrin”, tha Ajeti derisa shprehu mirënjohjen dhe konsideratën e familjes për respektin dhe nderimin që i është bërë të vëllait.

Për të nderuar jetën dhe veprën e heroit Alban Ajeti, në këtë akademi përkujtimore morën pjesë përfaqësues të shumtë të institucioneve, familjarë e personalitete të ndryshme.

Derisa u kthye nga Tetova në Gjilan dhe iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Alban Ajeti vazhdoi të shkruante poezi për Gjilanin, për Kosovën, për luftën dhe vdekjen për atdhe, për Bekim Berishën dhe për Adrian Krasniqin, si dhe për pranverën e lirisë, që ai vetëm sa ia njohu ditët e para. Kjo meqë më 15 prill 1999, Alban Ajeti u vra në luftime me forcat serbe në Zhegoc të Epërm, duke rënë dëshmor për liri.

Me nofkën “Pëllumbi”, Alban Ajeti kishte luftuar i veshur me uniformën e UÇK-së si luftëtar i Brigadës 171 “Kadri Zeka”, në Zonën Operative të Karadakut, bashkë me Pajazit Ahmetin, Sali Mustafën, Fadil Rashitin, Skender Veselin, Raif Musliun dhe shumë ushtarë të tjerë të të njëjtit betim e të së njëjtës uniformë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat