Kryeministri Kurti: Masakra e Paklekut është dëshmi e gjallë e gjenocidit të Serbisë edhe sot e kësaj dite

Aktuale

Kryeministri Kurti: Masakra e Paklekut është dëshmi e gjallë e gjenocidit të Serbisë edhe sot e kësaj dite

Më: 17 prill 2023 Në ora: 15:13
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me presidenten e vendit Vjosa Osmani Sadriu dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, bëri homazhe dhe vendosi lule të freskëta, në Paklek të Komunës së Drenasit, me rastin e 24- vjetorit të masakrës në këtë fshat.

Pas homazheve, kryeministri Kurti tha se masakra e Paklekut është dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë, duke kujtuar se këtu para 24 vjetëve janë vrarë 54 civil shqiptarë, për shkak se ishin shqiptarë dhe për shkak se dëshironin të jetonin të lirë e në paqe në tokën e tyre.

“Nuk ka mjaftuar vrasja, por ka pasuar edhe djegia e kufomave, që do të thotë se plani ka qenë për shfarosje jo vetëm të jetërave, por edhe të qenies. Andaj, masakra e Paklekut është dëshmie e gjallë e gjenocidit të Serbisë edhe sot e kësaj dite”, tha kryeministri Kurti.

Kryeministri Kurti theksoi se në muajin e ardhshëm bëhen katër vjet prej se në Kuvendin e Republikës, është mundësuar që Prokuroria e Shtetit, që prokurorët special, të ndjekin e më pastaj sistemi i drejtësisë edhe të gjykojë në mungesë kriminelët serbë. “Pra, në muajin e ardhshëm bëhen katër vjet që ekziston një mundësi e tillë. Dhe për këto krime të kryera gjatë luftës që janë edhe gjenocid, edhe krime kundër njerëzimit, edhe krime lufte, do të duhej të ketë drejtësi për viktimat, por edhe dënim shtetëror e ndërkombëtar për ata që i ekzekutuan dhe ata që i urdhëruan ato”, tha ai.

Pas homazheve, Kryeministri Kurti vizitoi shtëpinë muze, ku më 17 prill të vitit 1999, 24 vjet më parë, forcat serbe vranë 54 qytetarë të pafajshëm. 25 prej të vrarëve ishin nën moshën 18 vjeçare. Prej këtyre, 18 persona kanë qenë fëmijë, më të vegjël se 12 vjeç. Në mesin e tyre pesë foshnje prej gjashtë muaj e deri në dy vjeç. Lirie Muqolli ishte vetëm gjashtë muajshe.

Familjarët e mbijetuar rrëfyen se si civilët shqiptarë, të familjeve Muqolli, Elshani, Caraku e Hoxha, ishin duke u larguar prej shtëpive të tyre, por policia serbe i urdhëroi të ktheheshin atje, i gjuajti me bomba dore në dhomat ku ata po rrinin, e më pas edhe me breshëri automatikësh. E në fund, edhe i dogji trupat e tyre, të cilët në pamundësi të identifikimit janë varrosur në një varr të përbashkët.

Deklarimi i plotë për media i kryeministrit Kurti:

 Masakra e Paklekut është dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë. Këtu para 24 vjetëve janë vrarë 54 civil shqiptarë, për shkak se ishin shqiptarë dhe për shkak se dëshironin të jetonin të lirë e në paqe në tokën e tyre.

Prej këtyre 54 të vrarëve, 25 kanë qenë nën moshën 18 vjeçare, ndërkaq 18, pra çdo i treti ka qenë nën moshën 12 vjeçare. Pesë kanë qenë foshnje prej 6 mujash deri në 2 vjeç, ndërkaq Lirie Muqolli, ka qenë veç 6 muajshe si foshnje kur është vrarë në këtë masakër.

Siç e tha edhe presidentja Osmani nuk ka mjaftuar vrasja, por ka pasuar edhe djegia e kufomave, që do të thotë se plani ka qenë për shfarosje jo vetëm të jetërave, por edhe të qenies. Andaj, masakra e Paklekut është dëshmi e gjallë e gjenocidit të Serbisë edhe sot e kësaj dite.

Në muajin e ardhshëm bëhen katër vjet prej se në Kuvendin e Republikës, patëm mundësuar që Prokuroria e Shtetit, që prokurorët special, të ndjekin e më pastaj sistemi i drejtësisë edhe të gjykojë në mungesë kriminelët serbë. Pra, në muajin e ardhshëm bëhen katër vjet që ekziston një mundësi e tillë. Dhe për këto krime të kryera gjatë luftës që janë edhe gjenocid, edhe krime kundër njerëzimit, edhe krime lufte, do të duhej të ketë drejtësi për viktimat, por edhe dënim shtetëror e ndërkombëtar për ata që ekzekutuan dhe ata që i urdhëruan ato.

Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit tonë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat