Paralajmëron Fatmir Sheholli: Pas zgjedhjeve në veri do të fillojnë probleme tjera

Aktuale

Paralajmëron Fatmir Sheholli: Pas zgjedhjeve në veri do të fillojnë probleme tjera

Më: 18 prill 2023 Në ora: 06:11
Fatmir Sheholli

Fatmir Sheholli nga Instituti për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, ka thënë se në katër komunat e veriut të Kosovës, në të cilat pritet të mbahen zgjedhjet më 23 prill, situata është më e keqe se që ka qenë më parë.

Sheholli si pengesë për zbatimin e ligjit, i sheh disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të cilët janë nga komunat e tjera, por që detyrat i realizojnë në territorin e veriut të vendit, e që sipas tij nuk e njohin mjaftueshëm territorin.

Sipas Shehollit, nëse zgjedhjet do të mbahen do ta kenë legalitetin e vetë, pasi që janë paraparë të mbahen sipas Kushtetutës së Kosovës.

“Ne sot jemi në situatë shumë të keqe se që ka qenë atëherë, jemi në një situatë kur në veri të Kosovës, që përveç djegieve të veturave, djegia e shtëpive, rreziku i sigurisë së njerëzve kemi edhe plagosjen e një qytetari serb nga ana e një pjesëtari të Policisë së Kosovës. Gjithashtu, kemi një pjesë të Policisë së Kosovës që janë në atë pjesë vijnë kryesisht nga komunat tjera të cilët nuk e njohin mjaftueshëm terrenin të asaj pjese, që është edhe një pengesë tjetër për zbatueshmërinë e ligjit. Të gjitha këto, edhe çështjet teknike e bëjnë që të dielën nëse mbahen zgjedhje, ato do ta kenë legalitetin e vetë sigurisht, për arsye që janë me ligj dhe kushtetutë”, ka thënë Sheholli.

Njohësi i çështjeve të sigurisë ka thënë se pas zgjedhjeve do të fillojnë probleme tjera në veri të vendit, e që sipas tij do të jenë të natyrave tjera.

“Do të jemi dëshmitarë këtu, që pas zgjedhjeve që do të mbahen do të fillojnë problemet tjera, të natyrave tjera”, shtoi ai.

Ai thotë ka mundësi që shërbyesit civilë që janë të kontrolluar nga Lista Serbe të braktisin punën nëpër komuna.

Ndërsa, në emër të institutit ai tha se nuk ka informacione që gjatë ditës së zgjedhjeve do të ketë probleme.

“Për ditën e zgjedhjeve ne nuk kemi informacione që do të ketë probleme”.

Zgjedhjet në veri të Kosovës pritet të mbahen më 23 prill në katër komunat veriore, Zubin Potok, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Leposaviq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat