Sadiku: Pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje do t’i çonte mesazh Listës Serbe

Aktuale

Sadiku: Pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje do t’i çonte mesazh Listës Serbe

Më: 20 prill 2023 Në ora: 22:53
Skender Sadiku

Skender Sadiku nga Iniciativa Qytetare “Mitrovica”, ka thënë se është e rëndësishme që të gjithë qytetarët me të drejtë vote në katër komunat e veriut të Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet e 23 prillit.

Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, ai ka shtuar se pjesëmarrja e komunitetit serb në këto zgjedhje do t’i çonte një mesazh të rëndësishëm Listës Serbe.

“Ju bëj apel qytetarëve që të dalin në zgjedhje dhe frika e komunitetit serb të mos reflektohet në komunitetet tjera”.

“Nëse mbahen zgjedhjet, duhet të dalim dinjitetshëm. Zgjedhjet mbahen në rrethana të ndryshme edhe nëpër botë”.

“Ne duhet ta shfrytëzojmë maksimumin dhe të dalim dinjitetshëm. Ju bëj apel komuniteteve tjera, por edhe komunitetit serb që ta bëjnë një bojkot apo revoltë qytetare dhe të dalin në zgjedhje dhe të dërgojnë mesazh se nuk janë me Listën Serbe”, tha Sadiku.

Sipas tij, ka zëra mes komunitetit serb në Kosovë të cilët nuk e përkrahin Listën Serbe.

“Ka iniciativa, ka indikacione dhe zëra në komunitetin serb të cilët duhet të ndihmohen. Me komunitetin shumicë serb, ne si komunitet shumicë në tërë Kosovën duhet t’iu ndihmojmë”, tha Sadiku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat