Gashi nga AVONET: Disa aktivitete të KEK-ut janë të dyshimta – Kurti ishte në dijeni

Aktuale

Gashi nga AVONET: Disa aktivitete të KEK-ut janë të dyshimta – Kurti ishte në dijeni

Më: 21 prill 2023 Në ora: 00:11
Drejtori ekzekutiv i rrjetit të OJQ-ve, AVONET, Kenan Gashi

Drejtori ekzekutiv i rrjetit të OJQ-ve, AVONET, Kenan Gashi, deklaratat e kryeministrit të vendit, Albin Kurti, ndaj kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, i ka cilësuar si ndikim direkt në sistemin e drejtësisë.

Ai tha se në vend që të mbështet Prokuroria e Shtetit për arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, anëtarët e VV-së po përdorin gjuhë jo të mirë, e që sipas Gashit, të njëjtit duhet të distancohen nga ajo.

“Nëse ata ndikojnë në këtë formë, do ta dëmtojnë imazhin e Kosovës, pasi KPK-ja dhe Prokuroria e Shtetit janë një mekanizëm i pavarur dhe assesi nuk guxon një zyrtar shtetëror të përdorë këtë gjuhë siç e ka përdorur sot kryeministri e në vazhdimësi Qeveria e Kosovës karshi sistemit të drejtësisë”, tha Gashi në “Edicioni Special” në Klan Kosova.

Tutje, Gashi tha se për AVONET, disa aktivitete të KEK-ut kanë qenë shqetësuese dhe se kryeministri i vendit është njëri nga përgjegjësit, pasi ka qenë në dijeni për to.

“Raportet kanë qenë publike dhe janë të shfaqura në faqen e E-prokurimit. E, kryeministri është një prej përgjegjësve se si kryeministri s’e ka bërë një parandalim. Ne kemi marrë një shembull, transportin e punëtorëve të KEK-ut, relacioni Skenderaj – Drenas dhe anasjelltas, ky [Nagip Krasniqi] e ka bërë me negocim. Është një shqetësim sepse kushdo mund ta kryej këtë aktivitet. Dhe të mos e bëjë publik aktivitetin e prokurimit, është keqpërdorim i pozitës zyrtare”.

“Kemi raste të ndryshme ku flitet për projektet e riparimit kapital i turbinës të gjeneratorëve, loto 2, ku shifra është 6 milionë euro e që është e negociuar”, është shprehur Gashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat