Kosova kalon me sukses fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës

Aktuale

Kosova kalon me sukses fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës

Më: 24 prill 2023 Në ora: 07:00 Përditësuar në ora: 16:00 më 24.04.2023
Logoja e Këshillit të Evropës. Fotografi nga arkivi.

Ahmeti: Aplikimi i Kosovës pranohet në Këshillin e Evropës

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës është miratuar nga Komiteti i Ministrave me mbi dy të tretat e votave të nevojshme.

Lajmin e ka bërë të ditur zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Kreshnik Ahmeti.

Aplikimi i Republikës së Kosovës pranohet në Këshillin e Evropës (KE) – faza e parë e procesit kalohet me sukses. Para pak minutash, Komiteti i Ministrave, me mbi dy të tretat e votave të nevojshme, votoi në favor të pranimit të aplikimit të Republikës së Kosovës në KE dhe kërkoi opinionin e Asamblesë Parlamentare (APKiE) mbi këtë aplikim”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë se ky është një sukses i rëndësishëm për Kosovën.

Tani, na pret një punë intensive në APKiE, organ i cili do të përpilojë një numër raportesh mbi Kosovën dhe do ta jap opinionin e tij mbi anëtarësimin e saj në KE”, ka thënë Ahmeti.

Gërvalla: Kosova një hap më pranë anëtarësimit në Këshillin e Evropës

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka njoftuar të hënën se Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, ka marrë vendim që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës.

Sipas Gërvallës, Komiteti që përfaqëson 46 shtetet anëtare të KE-së, mori këtë vendim në një mbledhje të jashtëzakonshme, me më shumë se 2/3 e votave.

Sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë, për këtë vendim pati 33 vota për, shtatë kundër dhe pesë abstenime.

“Për shtetin tonë të ri, vendimi i sotëm përbën një hap historik, ndoshta më të rëndësishmin pas pavarësisë sonë. Me këtë vendim përmbyllet një etapë e rëndësishme drejt anëtarësimit të plotë”, shkroi Gërvalla në Facebook, duke shtuar se “mbetet edhe shumë punë për të bërë”.

Këshilli i Evropës, organizata më e vjetër evropiane që merret me zhvillimin e demokracisë dhe të drejtat e njeriut, ka procedura të caktuara për pranimin e anëtarëve të rinj. Këto procedura kalojnë përmes Këshillit të Ministrave dhe Asamblesë Parlamentare, ku marrin pjesë deputetët nga parlamentet e shteteve anëtare.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj 2022.

Më herët, burimet diplomatike i thanë REL-it se presin që edhe në vazhdim të procedurave për shqyrtimin e aplikimit të Kosovës të ketë taktizime dhe që hapat të lidhen me përmbushje e obligimeve që dalin nga Marrëveshja drejt normalizimit të raporteve që kanë arritur Kosova dhe Serbia.

“Realisht, nëse gjithçka shkon sipas planit, procesi i pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës do të mund të përmbyllej deri në fund të këtij viti”, tha një burim diplomatik për REL-in.

Pjesë e taktizimeve, sipas burimeve, është edhe tentimi që aplikimi i Kosovës të mos futet në rend dite gjatë samitit të Këshillit të Evropës që mbahet në mesin e majit në Islandë, e cila kryeson Këshillin e Ministrave.

Çfarë është Këshilli i Evropës?

Kërkesa e Kosovës për anëtarësim në këtë institucion është një prej temave edhe në takimin e ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian dhe sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, Therese Blanche, që po zhvillohet në Luksemburg.

Këtë e ka konfirmuar ministri i Jashtëm i Kroacisë, Goran Gërliq-Ramdan, të hënën para nisjes së takimit të ministrave të Jashtëm.

Ne do të kemi një takim me sekretaren e Përgjithshme të Këshillit të Evropës. Do ta shfrytëzoj rastin që të mbështesim fuqishëm kërkesën e Kosovës për pranim në Këshillin e Evropës”, tha kryediplomati kroat.

Siç kanë thënë burimet evropiane për Radion Evropa e Lirë, avancimi i kërkesës për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës është po ashtu një prej të arriturave të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Megjithatë, burimet nuk kanë dashur të përgjigjen prerë nëse Serbia ka shkelur marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, që u arrit më 27 shkurt, ku thuhet se “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më herët gjatë ditës deklaroi në Beograd se shteti i tij do të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Më herët, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, është shprehur se do të punojë që të pengojë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Për dallim nga Bashkimi Evropian, ku aplikimet për anëtarësim miratohen me konsensus, në Këshillin e Evropës pranimi i një anëtari të ri bëhet me shumicë votash./REL

Kosova kalon me sukses fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës

Kosova ka kaluar me sukses  fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Komiteti i Ministrave të shteteve anëtare, me mbi dy të tretat e votave të nevojshme, i dha sot mbështetje aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Duke përmbyllur kështu fazën e parë të anëtarësimit të plotë të Republikës sonë në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare.

​Kosova në agjendën e sotme për anëtarësim në KiE

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës do të jetë në agjendën e sotme të Komitetit të Ministrave.

Lajmin e ka bërë të ditur dje Rejhan Vuniqi, këshilltare e presidentes Vjosa Osmani, duke theksuar shpresën për zhvillime pozitive.

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës është në agjendën e Komitetit të Ministrave që mbahet të hënën. Le të shpresojmë për zhvillime pozitive në këtë hap të rëndësishëm drejt integrimit evropian.”, ka shkruar Vuniqi.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës më 12 maj të vitit 2022. Aplikacionin fillimisht e shqyrton Komiteti i Ministrave dhe pastaj, fjalën përfundimtare e jep Asambleja Parlamentare, e cila përbëhet nga përfaqësuesit kombëtarë të shteteve anëtare. Pranimi bëhet me votat e 2/3 të shumicës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat