Veriu pas zgjedhjeve/ Njohësit e sigurisë paralajmërojnë mosdëgjueshmëri e incidente

Aktuale

Veriu pas zgjedhjeve/ Njohësit e sigurisë paralajmërojnë mosdëgjueshmëri e incidente

Më: 25 prill 2023 Në ora: 18:46
Pamje nga veriu i Kosovës

Të hënën në orët e para të mëngjesit, rreth orës 03:40, në Zveçan në rrethana të panjohura është përfshirë nga zjarri një ekskavator.

Zjarrfikësit e kanë shuar zjarrin, ndërsa rasti në polici është hapur si “zjarrvënie”.

Lidhur me këtë Veton Elshani, zëvendësdrejtor Rajonal për Regjionin e Mitrovicës Veriore në Policinë e Kosovës, ka thënë se ekskavatori është në pronësi të një shqiptari dhe i njëjti punon në atë zonë që një vit.

“Është i një pronari shqiptar, i cili aty ka qenë me një kontratë të BE-së për komunitet. Punon që 1 vit në atë zonë”, tha Elshani.

Por, a po shihet kjo si një tendencë që në pjesën veriore të prodhohen incidente pas mbajtjes së zgjedhjeve kanë folur njohës të sigurisë.

Ata thonë se nuk priten zhvillime radikale, pro mund të ketë një mosdëgjueshmëri të serbëve ndaj institucioneve.

Njohësi i sigurisë, Fadil Kajtazi ka thënë se Serbia zakonisht luan në atë hapësirën mes asaj që është e ligjshme dhe e paligjshme.

“Mendoj se kjo formë e zhvillimit të aktiviteteve do të shkojë sipas këtij inercioni prandaj nuk priten zhvillime radikale, përpos që do të ketë një padëgjueshmëri qytetare, kohë pas kohe do të ketë aktivitet dhe sulme në drejtim të institucioneve të reja që dalin nga zgjedhjet e fundit. Kjo do të bëhet në masën sa për të treguar se ju këtu jeni të padëshirueshëm dhe ky vend është i joni, pra në këtë formë, përndryshe derisa nuk ndodhë një zgjidhje politike gjendja do të jetë kjo, pra do të jetë as paqe por nuk do të ketë as përshkallëzim në shkallë të gjerë”, thotë Kajtazi, për fo.

Sipas tij, Serbia në pjesën veriore të Kosovës që 20 vite ka kryer aktivitet terroriste, por se këtë askush nuk po e përmend.

“Serbia në pjesën veriore jo tani por që 20 vite është duke zhvilluar aktivitete terroriste dhe kjo asnjëherë nuk është adresua si aktivitet terrorist fatkeqësisht dhe nuk e di arsyen se perse nuk po bëhet kjo, nuk po përmendet”, ka shtuar ai.

Mendim pothuajse të njëjtë, ka edhe njohësi tjetër i sigurisë, Avni Islami.

Ai thotë se nuk pret që pas mbajtjes së zgjedhjeve të ketë ndonjë eskalim të situatës, por se incidente të vogla do të ketë.

“Nuk pres që të ketë eskalim të situatës, por normal duke u përcjell edhe me disa incidente të vogla të cilat janë të drejtuara jo kundër strukturave të sigurisë së Kosovës, por të drejtuara ndaj serbëve lokal, duke i shantazhuar, duke i frikësuar që të mos bashkëpunojnë me institucionet e sigurisë së Kosovës, pra me institucionet në përgjithësi”, është shprehur Islami.

Ndërsa, thotë se tash e tutje gjithçka që do të ndodhë në veriun e vendit, do ti faturohet Aleksandër Vuçiqit.

“Gjithçka tash e tutje në aspektin e sigurisë që mund të ndodhë në veriun e Kosovës të gjitha do t’i faturohen Aleksandër Vuçiqit sepse strukturat e ndryshme kriminale bashkë me Listën Serbe janë nën komandën e Vuçiqit”, është shprehur Islami.

Zgjedhjet në katër komunat veriore janë mbajtur të dielën e 23 prillit.

Të njëjtat së pari ishin caktuar të mbaheshin më 18 dhjetor por me kërkesën e bashkësisë ndërkombëtare ishin shtyrë për 23 prill.

Në këto zgjedhje nuk morën pjesë serbët.

Të shtunën e 5 nëntorit të vitit të kaluar Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë kishte vendosur që të largohet nga institucionet qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe nga komunat në veri të vendit.

Këtë ata e kishin bërë si shenjë pakënaqësi ndaj vendimit për targat dhe supsendimit të Drejtorit të policisë së veriut, Nenad Gjuriq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat