Kajtazi: Me zgjedhjet në veri Kosova pagoi një referendum për Serbinë

Aktuale

Kajtazi: Me zgjedhjet në veri Kosova pagoi një referendum për Serbinë

Më: 25 prill 2023 Në ora: 22:09
Vehbi Kajtazi

Analisti politik, Vehbi Kajtazi, vlerëson se me mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore, Republika e Kosovës pagoi referendum për Serbinë.

Kajtazi, i ftuar në Rubikon në Klan Kosova, tha se Kosova me mbajtjen e zgjedhjeve në veri ka dashur të tregojë forcë, kontroll e autoritet në atë zonë.“Kush do të thoshte se Kosova i harxhon 600 mijë euro edhe organizon një referendum për Serbinë. Ne këtë e shohim si një proces zgjedhor të improvizuar ku shteti i Kosovës u përpoq të tregoj forcë, kontroll dhe autoritet se ne jemi të gatshëm të mbajmë zgjedhje në veri të Kosovës ani se parakushtet nuk kanë ekzistuar”.

“Fakti që s’janë hapur shkollat për votim i bie që ne nuk ishim në gjendje të organizonim zgjedhje në veri të vendit. Është referendum që ne e kemi paguar për Serbinë pasi që 100 përqind e qytetarëve serbë të Republikës së Kosovës në veri e kanë refuzuar shtetin e Kosovës, 100 përqind iu kanë bindur Serbisë”, u shpreh Kajtazi.

Mes tjerash, Kajtazi mbajtjen e zgjedhjeve e konsideron si dëshmi që institucionet e Kosovës nuk e kontrollojnë dot veriun e vendit.

“Ne kemi paguar referendum në interes të Serbisë dhe në dëm tonin, ne i kemi treguar botës dhe secilit që nuk e kontrollojmë veriun dhe për të disatën herën institucionet e Kosovës pësojnë debakël në veri të vendit pikërisht për shkak të pa mençurisë. Qasja e Kosovës në raport me veriun ka dalë çdo herë gabim dhe në këtë rrugë iu ka hapur rrugë autonomisë dhe asociacionit” tha Kajtazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat