​Rizvanolli pyet opozitën: Pse ju interesojnë kaq shumë tenderët?

Aktuale

​Rizvanolli pyet opozitën: Pse ju interesojnë kaq shumë tenderët?

Më: 26 prill 2023 Në ora: 13:40
Foto ilustrim

Kuvendi i Kosovës po vazhdon sot debatin parlamentar, lidhur me zhvillimet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe përgjegjësinë e institucioneve qendrore në sektorin energjetik.

Para legjislativit, fjalën e mori ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila tha se dëshiron t’i pyet deputetët opozitarë se pse iu interesojnë kaq shumë vetëm tenderët, por tha se përgjigjen e dinë nga ish-qeveritë e kaluara.

Rizvanolli: Pse deputetëve të opozitës iu interesojnë kaq shumë tenderët

“Disave nga ju, deputetë të opozitës desha t’iu pyes se pse gjatë këtyre dy viteve aq rrallë keni fol për politikat e aq shpesh keni ditur detaje dhe keni ngritur çështje në lidhje me tenderët në KEK dhe ndërmarrje të tjera. Kur u shpall tenderi, kush e fitoi pse e fitoi firma x pse jo tjetra. Desha t’iu pyes se pse ju i dini në kaq detaje këto informata dhe i përcjellin me kaq sukses. Por, nuk dua, pasi unë këtu kam jetuar ju njoh dhe qytetarët ju njohin, andaj nuk ka nevojë për përgjigje këtu”, tha ajo.

Ndërkaq, ajo përmendi sukseset e KEK-ut gjatë vitit 2022, derisa nuk foli fare për arrestimin e ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, i cili dyshohet për keqpërodrim të detyrës zyrtare.

Rizvanolli: KEK-u e ka mbyllur vitin 2022 me shumë suksese

“KEK-u e ka mbyllur vitin 2022 me shumë suksese duke përfshirë fitimin rekord 107.7 milionë euro dhe një plan të realizuar 97 për qind të prodhimit të planifikuar, i cili është shumë i lartë për shkak të sfidave dhe krizës energjetike”, tha ajo.

Por, ministres Rizvanolli i reagoi shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili tha se të dhënat për tenderët sigurohen shumë lehtë në e-prokurorim, derisa tha se abuzimet në KEK janë të mëdha.

Tahiri: Abuzimet ministre janë shumë të mëdha

“Abuzimet ministre janë shumë të mëdha, janë tepër të mëdha, folni për atë. Tjetra është se keni gabuar, pasi Nagip Krasniqin është dashur me shkarku, jo me lënë tjetrin ushtrues detyrë të zëvendësdrejtorit që i ushtron kompetencat e kryeshefit. Kjo është gabim dhe aferë korruptive”, theksoi ai.

Ndërkaq, ministrja Rizvanolli tha se tenderin për shiritat transportues në KEK që e përmendi deputeti Tahiri është nisur periudhën e qeverisë LDK-AAK.

Rizvanolli: Tenderi për shiritat transportues është nisur në periudhën LDK-AAK

“I nderuar deputet unë detajet e tenderëve nuk i di. Më duhet me pranu, por ndërkohë më informuan se për atë që më herët e përmende për furnizimin me shiritat transportues është nisur në periudhën e qeverisë LDK-AAK, lënda ka qenë në OShP”, tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat