“Kurti mashtrues inteligjent, s’ka merita për viza”: Hyseni “shpërthen” me akuza ndaj Kurtit

Aktuale

“Kurti mashtrues inteligjent, s’ka merita për viza”: Hyseni “shpërthen” me akuza ndaj Kurtit

Më: 28 prill 2023 Në ora: 10:45
Skender Hyseni, ish-ministër i Punëve të Jashtme

Skender Hyseni, ish-ministër i Punëve të Jashtme, ka dhënë një intervistë relativisht të gjatë në televizionin “Kanal 10”. Sikurse edhe mund të imagjinohet, ai foli për shumë tema, por kryetemë ishte qeverisja e kryeministrit Albin Kurti. Hyseni ishte jashtëzakonisht kritik në lidhje me qeverisjen e Kurtit, duke e kritikuar atë në lidhje me veriun e dialogun. Madje, Hyseni ia dha edhe cilësorin e “mashtruesit inteligjent” Kurtit.

Në analizën e tij, Hyseni vlerësoi se nuk ka asnjë simbolikë shtetërore sot në veri të Kosovës, gjersa theksoi, sigurisht në mënyrë ironike, se nuk e kupton termin vetëmenaxhim.

Por, Hyseni, që është pjesë e LDK-së, nuk e harroi ta përmendte edhe Vjosa Osmanin, presidente e Kosovës, të cilën, bashkë me Kurtin, e akuzoi për lëshime e pazare për vota në Këshillin e Evropës. Sipas Hysenit, pushteti aktual nuk e ka siguruar asnjë votë për në KE.

“Absolutisht nuk ka siguruar Kosova asnjë votë për në KiE. Ju them publikisht, ju siguroj. Nëse ka siguruar një votë atëherë pse nuk ka sigurua votën e Hungarisë, shtet që e njeh Kosovën, pse dështoi? Liderët shkojnë e vinë e shtetet e bëjnë njohjen dhe akti i njohjes është formal i një shteti ndaj një shteti. Uroj që ata të kenë punuar, por votat në KiE kanë ardhur si rezultat i pazareve që janë bërë, këtu hyn fizkultura e Kurtit dhe Osmanit në zgjedhjet në veri të Kosovës.” - deklaroi Hyseni mbrëmë në “Prime Time”.

Tutje, ish-bashkëpunëtori i ish-presidentit Ibrahim Rugova, vlerësoi se Kurti nuk ka merita as për liberalizimin e vizave.

“Unë çfarë mund të them, për hir të vërtetës, zoti Kurti është njeriu që ka më së paku merita për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Për më tepër, është pikërisht zoti Kurti dhe zonja Osmani dhe disa të tjerë, që janë fajtorët kryesorë që liberalizimi nuk ka ndodhur në vitin 2016” – tha ai.

Hyseni foli edhe për zgjedhjet në veri, duke e përdorur një term interesant për të përshkruar zgjedhjet që u mbajtën të dielën e kaluar, ku dalja ishte e vogël. Sipas tij, zgjedhjet në veri janë një “tërheqje estetike” nga sovraniteti.

“Kjo ka qenë një tërheqje shumë estetike nga sovraniteti i institucioneve qëndrore të Kosovës në atë pjesë të vendit. Gjithë kjo bëhet me qëllim të fitimit të një arsyetimi banal, për zbatimin e Asociacionit të cilin Kurti do ta zbatojë shpejtë. S’ka nevojë Kurti të fshihet prapa manovrave politike për ta çuar përpara marrëveshjen me Serbinë.” – deklaroi Hyseni.

Tutje, Hyseni vlerësoi se Kurti është në kërkim të shpëtimti të fytyrës së tij, derisa Kosova po dëmtohet nga qeverisja e tij.

“Kurti është në kërkim të arsyetimit. Kurti s’bën asgjë tjetër vetëm po përpiqet të shpëtoj me fytyrë, e dëmet po i pëson Kosova dhe sovraniteti i vendit në të gjithë territorin e tij. Do ta tregojnë ditët në vijim që e gjithë kjo ka qenë një manovër për të krijuar mjegull për atë që do të vijë. SHBA-ja dhe bashkësia ndërkombëtare e di saktësisht, ata nuk mund të thonë që Kosova s’mund të organizoj zgjedhje në veri të vendit.” - tha tutje Hyseni në Prime Time.

Në lidhje me Kurtin, z. Hyseni nuk ngurroi të shprehte qëndrimin e tij. Ai e cilësoi Kurtin si “mashtrues inteligjent”, që është i mirë në lojëra “semantike”, pra me fjalë.

“Kurti është mjeshtër i lojërave semantike, lojërave me fjalë. Është një mashtrues inteligjent, absolutisht manipulues i klasës së parë dhe ai çdo fjalë që e gjetë prej goje, synim e ka me manipulu atë grusht votues që i ka, atij nuk i intereson ndonjë interes më i madh shtetëror.” – shtoi z. Hyseni.

Kujtojmë që z. Hyseni ka pasur disa herë përplasje nga distanca edhe me udhëheqjen e re të LDK-së, gjersa kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, e ka cilësuar edhe si “VV Brenda LDK-së”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat