Arrestimi i Krasniqit, Gashi “shpërthen” ndaj Limajt dhe opozitës: KEK-u, larës i parave tuaja të pista

Aktuale

Arrestimi i Krasniqit, Gashi “shpërthen” ndaj Limajt dhe opozitës: KEK-u, larës i parave tuaja të pista

Nga: A.Zh Më: 28 prill 2023 Në ora: 14:26
Nagip Krasniqi

Opinionisti Lirim Gashi, ka reaguar për arrestimin e kryeshefit të KEK-ut Nagip Krasniqi.

Ai ka hedhur akuza ndaj ish-partive në pushtet LDK-PDK-AAK, se ato e kanë shndërruar KEK-un në gjenerator të krimit mafioz dhe në larës të parave të tyre të pista.

Sipas Gashit, arrestimi i Krasniqit, është “përpjekje cinike e opozitës për t'i humbur gjurmët e të gjitha krimeve të rënda që janë kryer nga njëqind prej politikanëve më mafioz në radhët e saj”.

Lexojeni reagimin e tij të plotë, të publikuar në Facebook:

LDK-PDK-AAK e kanë shndërruar KEK-un jo vetëm në gjenerator të krimit më të sofistikuar mafioz, por edhe në larës të parave të tyre të pista.

Ky realitet i dhimbshëm nuk mund të dëgjohet dhe shihet vetëm nga ata njerëz që nuk kanë ndjenja, sy, veshë dhe interes për ta dëgjuar dhe parë këtë lojë të pistë të prokurorëve dhe gjyqtarëve të pandershëm që janë shërbëtorë dhe roje kujdestare të korrupsionit dhe krimit të organizuar të opozitës së sotme dhe ish pushtetit të dikurshëm.

Sepse misioni parësor i tyre ka qenë dhe mbetur kapja dhe mbajtja peng e të gjitha institucioneve më të rëndësishme të shtetit.

Kur Fatmir Limaj flet për integritetin e prokurorive dhe gjykatave tona, stomaku më rrotullohet nga neveria.

Fatmir Limaj duhet ta dijë mirë se sa më shumë që përmend vendimet për pafajësinë e tij nga gjykata të tilla të robëruara, aq më i pabesueshëm do të bëhet për opinionin e gjerë.

Sepse për 23 vite me radhë këto gjykata po zhvillojnë vazhdimisht procese teatrale gjyqësore vetëm sa për ta mashtruar popullin se kinse po e kryejnë obligimin e tyre ligjor.

Prandaj ato jo vetëm që nuk e kanë zbardhur për 23 vjet rresht asnjë krim të rëndë ekonomik dhe politik, por kanë bërë gjithçka për t'i mbajtur të gjitha në errësirë.

Mjafton t'i lexoni emrat dhe mbiemrat e personave që janë shpallur të pafajshëm nga këto gjykata, për të ardhur në përfundimin shqetësues dhe ironik se të gjitha krimet në Kosovë kanë qenë fatkeqësi natyrore që nuk janë ndikuar në asnjë çast nga mendja apo dora e njeriut.

Arrestimi i fundit i drejtorit të KEK-ut nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje cinike e opozitës për t'i humbur gjurmët e të gjitha krimeve të rënda që janë kryer nga njëqind prej politikanëve më mafioz në radhët e saj.

Çdo qytetar, gazetar dhe analist që nuk e sheh këtë realitet të padiskutueshëm është ose shumë naiv dhe injorant ose pjesë e kësaj sipërmarrjeje kriminale.

Vetëm zgjimi dhe guximi civil mund ta çlirojnë shtetin nga dhëmbët e peshkaqenëve kriminalë në të gjitha fushat dhe sferat e veprimtarisë politike dhe publike.

Unë nuk e them këtë të vërtetë të dhimbshme për t'i mbrojtur interesat e qeverisë së paaftë kundrejt opozitës mafioze, por për t'i mbrojtur interesat e qytetarëve të thjeshtë, shoqërisë dhe shtetit.

Sepse kushdo që e do partinë më shumë se shtetin ia rrënon këtij të fundit themelet dhe shoqërisë ardhmërinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat