​Javën e ardhshme pritet të hapet konkursi i ri për specializantë

Aktuale

​Javën e ardhshme pritet të hapet konkursi i ri për specializantë

Më: 29 prill 2023 Në ora: 12:00
QKUK

Ministria e Shëndetësisë pritet që gjatë javës së ardhshme të hap konkursin e ri për rreth 260 pozita, por që prioritet kanë specializantët për lëmin e anesteziologjisë. Ky proces do të bëhet bazuar me Udhëzimin e Ri Administrativ për shkollim specialistik i cili është miratuar para një muaji.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia deklaroi se ky konkurs për specializantë do të hapet bazuar në nevojat dhe kapacitetet infrastrukturore dhe mentoriale. Sipas tij tashmë është emëruar edhe Bordi i Shkollimit Specialistik.

Vitia: Javën tjetër hapet konkursi me rreth 260 pozita

“Ky Bord tanimë është emëruar dhe po presim ose brenda kësaj jave ose në javën tjetër do të hapet edhe konkursi ku janë diku rreth 250 apo 260 pozita në total…dhe natyrisht po për herë të parë sipas këtij Udhëzimi Administrativ për Shkollim Specialistik do të jenë disa faktorë të cilët do të ndikojnë në hapjen e konkurseve për specializim në lëmi të caktuara. E para do të jetë nevojat të cilat i kemi për lëmit e caktuara, e dyta do të jenë kapacitetet infrastrukturore shumë të rëndësishme dhe e treta por jo më pak e rëndësishmja, ndoshta më e rëndësishmja, kapacitetet mentoriale që mos të na përsëritet prapë ajo që ka qenë më herët ku 1 mentor ka qenë për 12-13 specializantë... më së shumti nga të gjitha lëmit që do të ketë hapje për shkollim specialistik do të jetë lëmia e anesteziologëve”, theksoi ai.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu konsideron se nuk janë zgjedhur problemet ekzistuese për këtë shkollim dhe ky konkurs vetëm sa do të shkaktojë kaos.

Ndonëse konsideron se ka nevojë për një konkurs të tillë shkollimi, Sejdiu thekson se ekziston rreziku që sektori primar shëndetësor të mbes pa staf.

Sejdiu: Ky konkurs mund të shkaktojë zbrazje në sektorin primar shëndetësor

“Problemet kanë mbetur nëse nuk rregullohen problemet. A ka nevojë po ka nevojë shumë të limituar në lëmi të cilat mund të mos jenë disa prej tyre shumë atraktive por janë shumë të nevojshme për shtetin dhe një pjesë të cilat janë të nevojshme për shtetin dhe janë atraktive ky është balanci që duhet ta bëjë Bordi për Shkollim Specialistik... Mund të shkaktojë një luhatje, një zbrazje e sektorit primar por kjo ndodh vetëm nëse MSh gjegjësisht Bordi nuk respekton kriteret që së paku 1 vit duhet të kesh përvojë pune në sektorin primar sepse vitin e kaluar kanë marr specializime edhe pas 2 javë që kanë marr diplomën që kanë qenë në kundërshtim komplet me ligjin shpresoj të mos mbizotërojë politika siç ka mbizotëruar apo nevojat politika, por të mbizotërojë rregulli dhe ligji nëse ajo bëhet do të jetë shumë të lehtë edhe të plotësohen ato vende se po, do të pësojë gjithsesi do të pësojë, por së paku dëmi të menaxhohet”, theksoi Sejdiu.

Kritika për neglizhencë për një konkurs të tillë shprehu anëtari i Komisionit parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Armend Zemaj.

Sipas tij, nevojat janë shumë të mëdha dhe për këto dy vite ndonëse shpresat ishin të mëdha asgjë nuk është bërë.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj konsideron se qeverisja aktuale ka pasur tendenca ta njollosë konkursin e specializantëve i cili ishte hapur gjatë mandatit të tij.

Zemaj: Nevoja për shkollim specialistik e madhe, vetëm fjalë

Shpresa ishte që fjalët të shndërrohen në vepra, kaluan dy vite tash edhe 5 muaj të këtij viti me të njëjtën gjendje vetëm fjalë, premtime, analiza diçka që është e parëndësishme për parandalimin e ikjes së mjekëve apo plotësimin e nevojave deficitare që ka në Kosovë. Kaluan tri vite nga shpallja e specializimeve të fundit edhe atëherë ishte 5 vite paraprake ku nuk kishte specializim dhe numri ka me qenë me kërkesa goxha të rritura që të marrim shkollim specialistik janë probleme të panevojshme të krijuara për shkak të burokracisë, ndërhyrjes besa-besa ishte edhe një njëfarë lloj tendence që të hidhet baltë mbi procesin e kaluar dhe po shihet se aq e madhe ka qenë nevoja dhe aq të mëdha janë nevojat aktuale sa që nuk është lehtë të parandalohet ikja e mjekëve, përmirësimi i kushteve”, shprehet Zemaj.

Në vitin 2020 ishin pranuar rreth 1 mijë e 500 specializantë pas një konkursi që kishte hapur Ministria e Shëndetësisë, nën udhëheqjen e ish-ministrit, Armend Zemaj. Kritikat rreth këtij procesi ishin të mëdha. Madje, edhe vetë specializantët disa herë edhe kanë protestuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat