Profesori britanik: BE-ja e heshtur ndaj Serbisë

Aktuale

Profesori britanik: BE-ja e heshtur ndaj Serbisë

Më: 1 maj 2023 Në ora: 06:10
Aidan Hehir

Nuk e sheh problemin në Beograd por në Bruksel.

Profesori nga Westminster University, Aidan Hehir, ka kritikuar ashpër Bashkimin Evropian, për mënyrën se si po e ndërmjetëson procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Britaniku, thotë se Serbia e shkeli rëndë marrëveshjen e Ohrit, duke votuar kundër pranimit të aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ai thotë se ka të paqartë heshtjen e Bashkimit Evropian karshi Serbisë.

“Nuk e besoj se dikush është i befasuar me veprimet e Serbisë, e cila nuk po e respekton marrëveshjen me Kosovën. Pra pozicioni i Serbisë është shumë i qartë. Por problemi kryesor këtu nuk është Beogradi por Brukseli. Këta të fundit insistuan për këtë marrëveshje dhe tani qëndrojnë të heshtur përballë Serbisë. Vota e Serbisë kundër pranimit të aplikimit për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës,  ishte shkelje e rëndë e marrëveshjes se fundit të arritur në Ohër”, ka thënë Hehir.

Njohësi i çështjeve politike, thotë se brenda bllokut evropian ka shtete që kanë krijuar aleanca me Rusinë dhe Serbinë.

Ai në këtë rast përmend Hungarinë, e cila gjithashtu votoi kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Ka disa shtetet brenda Bashkimit Evropian që po bëhen gjithnjë e më autoritare dhe po afrohen me Serbinë e Rusinë. Raporte të ndryshme ndërkombëtare tregojnë qartë për rënien e demokracisë në Serbi përgjatë dekadës së fundit. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Hungarinë, e cila e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe tani e kundërshton këtë të fundit të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare. Kjo me të vërtetë është e pakuptueshme”, është shprehur profesori britanik.

Dy delegacionet, Kosova e Serbia do ta zhvillojnë takimin e ardhshëm me 2 maj në Bruksel.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat