Adriatik Kelmendi: I vonuar shkarkimi i Ekipit për Asociacionin, ky është kurthi pas prezantimit të draftit

Aktuale

Adriatik Kelmendi: I vonuar shkarkimi i Ekipit për Asociacionin, ky është kurthi pas prezantimit të draftit

Nga: A.Zh Më: 3 maj 2023 Në ora: 21:52
Adriatik Kelmendi, Albin Kurti

Gazetari Adriatik Kelmendi, vlerëson se shkarkimi i Ekipit Menaxhues për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, është i vonuar.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës nuk është dashur të lejojë me asnjë kusht që një deputete e partisë së Vuçiqit në Kuvendin e Serbisë të propozojë çfarëdo për rregullimin e brendshëm të Kosovës.

Kelmendi ka thënë se Kurthi nga ky ekip, është që pas prezantimit të draftit për Asociacionin, pala që nuk do të punojë mbi të, do të shihet si destruktive, përcjell Bota sot.

Postimi i plotë i Kelmendit në Facebook:

Shumë mirë që u shkarkua Ekipi Menaxhues për Asociacionin sot.

Por ky shkarkim është i vonuar.

Dëmi i madh është bërë.

Kjo i bie si kur e di se një vrasës është nisur drejt shtëpisë tënde, ti ia hapë me vetëdije derën, ai e kryen vrasjen dhe ti pastaj e thërret policinë për ta burgosur. I vrari nuk kthehet në jetë më, pavarësisht çka ndodh me vrasësin.

Borrell mbrëmë tha se bisedimet për Asociacionin do të vazhdojnë mbështetur mbi draftin e statutit të prezantuar nga ky Ekip Menaxhues. Dhe me logjikën e vendosur nga Brukseli, sipas Aneksit të Zbatimit, pala që nuk tregohet konstruktive do t’i bartë pasojat. Tash, pas prezantimit të draftit, pala që nuk do të punojë mbi të do të shihet si destruktive. Këtu është kurthi.

Qeveria e ka ditur se kryesuesja e Ekipit është deputete e partisë së Vuçiqit në Kuvendin e Serbisë.

Nuk është dashur me asnjë kusht të lejohet prezantimi i një deputeteje, e cila është betuar në Kushtetutën e Serbisë - Kushtetutë brenda së cilës ndodhet edhe Kosova - të propozojë çfarëdo për rregullimin e brendshëm të Kosovës.

Është ahistorike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat