​Arrihet marrëveshje mes ATK-së dhe Departamentit për Tatim për zbulimin e evazionit tatimor

Aktuale

​Arrihet marrëveshje mes ATK-së dhe Departamentit për Tatim për zbulimin e evazionit tatimor

Më: 4 maj 2023 Në ora: 14:31
Foto ilustrim

Drejtori ekzekutiv i ATK-së Ilir Murtezaj, dhe Enis Spahiu zëvendës sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, kanë nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi, i cili ka për qëllim rritjen e shkëmbimit të informatave lidhur me zbulimin dhe parandalimin e evazionit tatimor, si dhe për ngritjen dhe lehtësimin e mëtutjeshëm të koordinimit dhe bashkëpunimit ndër-institucional.

Në njoftimin e ATK-së thuhet se bazuar në përgjegjësitë e memorandumit, Departamenti i Tatimit në Pronë do t’i sigurojë qasje për lexim dhe printim të informatave në bazën e të dhënave të regjistrave të tatimit në pronë për zyrtarët e autorizuar nga ATK, bazuar në Ligjin për Tatimin në Pronën e Paluajtshme dhe Ligjin për Administratën Tatimore dhe Procedurat.

E nga ana tjetër, ATK do të caktojë zyrtarët e autorizuar, detyrat e të cilëve kërkojnë të kenë qasje në bazat e të dhënave të regjistrave të tatimit në pronë, përmes ueb-it, dhe do të kërkojë me shkrim nga DPT krijimin e llogarive të koduara të përdoruesve për zyrtarët e autorizuar nga ATK”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se finalizimi i këtij memorandumi, është bërë me qëllimin e vetëm për parandalimin, zbulimin e evazionit tatimor, dhe për qëllime të tatimit në pronën e paluajtshme.

Në anën tjetër, sot në Kuvend të Kosovës pritet të shqyrtohet në lexim të parë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme që mundëson faljen e deri 100 euro për cdo tatim pagues për vitin 2023. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat