Rasti “Paykos”: Ngritet aktakuzë ndaj Agron Mustafës – dyshohet se i shkaktoi dëm Telekomit mbi 6 milionë euro

Aktuale

Rasti “Paykos”: Ngritet aktakuzë ndaj Agron Mustafës – dyshohet se i shkaktoi dëm Telekomit mbi 6 milionë euro

Më: 4 maj 2023 Në ora: 15:39
Agron Mustafa

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se më 3 maj ka ngritur aktakuzë ndaj Agron Mustafës.

Ai dyshohet se ka kryer veprën penale “Lidhja e kontratës së dëmshme” në rastin “Paykos”. Kësisoj, Mustafa dyshohet se i ka shkaktuar dëm Telekomit të Kosovës, mbi gjashtë milionë euro.

Sipas aktakuzës, i pandehuri, në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës në Prishtinë, më 16.03.2015 e në vazhdimësi me dije ka vepruar në dëm të PTK-së, “ashtu që përmes lidhjes së anekseve, marrëveshjeve duke ndryshuar kushtet e kontratës në disfavor të ndërmarrjes që ka përfaqësuar, në vend që t’i mbrojë interesat e saj, i njëjti me dashje i ka shkaktuar dëm në shkallë të madhe Telekomit të Kosovës, dhe atë në vlerë prej 6,796,732 €”.

Prandaj, Prokurori i Shtetit i ka propozuar Gjykatës që Mustafa të shpallet fajtor dhe dënohet sipas ligjit.

“Me këtë i pandehuri ka kryer veprën penale të lartcekur, andaj Prokurori i Shtetit, me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë”, thuhet në kumtesën e Prokurorisë.

Kontrata e lidhur nga Telekomi që kishte të bëjë me shitjen e produkteve të Valës me kompaninë “Paykos” po trajtohet dhe në Arbitrazhin Ndërkombëtar.

Lënda është dërguar në Arbitrash nga ana e kompanisë “Paykos” në vitin 2021, pasi, Telekomi i Kosovës kishte shkëputur njëanshëm kontratën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat