​Stano: Vendimi për shkarkimin e Ekipit Menaxhues për Asociacionin shkel frymën e dialogut

Aktuale

​Stano: Vendimi për shkarkimin e Ekipit Menaxhues për Asociacionin shkel frymën e dialogut

Më: 4 maj 2023 Në ora: 16:01
Peter Stano

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka deklaruar sot se vendimi për shkarkimin e Ekipit Menaxhues për themelimin e Asociacionit shkel përmbajtjen dhe frymën e marrëveshjeve të dialogut.

Ai, në një konferencë për media është shprehur se Ekipi Menaxhues ka qenë delegacion i pavarur dhe se palët kanë rënë dakord për përbërjen e ekipit.

Stano ka potencuar se çdo vendim në lidhje me Ekipin Menaxhues duhet të miratohet në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Stano: Vendimi për shpërbërjen e Ekipit Menaxhues shkel frymën e marrëveshjeve

“Pra, në pyetjen nëse ekipi menaxhues ka qenë pjesë e cilit delegacion, ai ka qenë një delegacion i pavarur, ata janë ftuar të vijnë për t'iu bashkuar takimit për një pikë të takimit të nivelit të lartë të martën, për të prezantuar draft statutin. Ata janë ftuar posaçërisht për prezantimin e këtij statuti, të këtij drafti, dhe nuk kanë qenë pjesë e as delegacionit serb, as delegacionit të Kosovës. Sa i përket përbërjes së ekipit, kjo është në përputhje me marrëveshjet e dialogut, palët kanë rënë dakord për përbërjen e Ekipit Menaxhues, ndërsa anëtarët e ekipit menaxhues janë propozuar nga Serbia, dhe zyrtarisht janë emëruar nga Kosova. Dhe sa i përket pyetjes për vendimin për shpërbërjen e ekipit. Epo, në marrëveshjet e dialogut, thuhet qartë se ekipi menaxhues duhet të jetë derisa të miratohet statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ajo që ndodhi të martën ishte se ekipi drejtues propozoi dhe dorëzoi draftin e parë. Kjo do të thotë që ne filluam procesin dhe procesi nuk ka përfunduar akoma. Prandaj, vendimi për shpërbërjen e ekipit menaxhues, shkel përmbajtjen dhe frymën e marrëveshjeve dinamike, dhe çdo vendim në lidhje me Ekipin Menaxhues duhet të miratohet në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.”, ka thënë ai.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian është shprehur se dialogu është kompleks dhe ka nënvizuar se do të vazhdojnë rrugën deri në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, nëse nuk ka zgjidhje, atëherë nuk bëhet fjalë për perspektivën evropiane për Serbinë dhe Kosovën.

Stano: Nëse s’ka zgjidhje, atëherë nuk bëhet fjalë për perspektivën evropiane për Kosovën e Serbinë

“Ne shpallëm rezolutën e OKB-së për rolin e Përfaqësuesit të Lartë, në ndërmjetësimin dhe lehtësimin e dialogut, dhe ne do të vazhdojmë në këtë rrugë. Ne do të vazhdojmë këtë rrugë derisa të arrijmë në destinacionin tonë, që është një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhnieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Natyrisht me parakushtin që Kosova dhe Serbia të marrin pjesë në dialog. Dhe ne po bëjmë punën tonë në përpjekje për të arritur një marrëveshje. Ne jemi ndërmjetësues, nuk jemi komentues, kështu që do të vazhdojmë të luajmë rolin tonë për të ndihmuar të dy partnerët për të gjetur një zgjidhje, sepse nëse nuk ka zgjidhje, atëherë nuk bëhet fjalë për perspektivën evropiane për Serbinë dhe Kosovën.”, ka thënë ai.

Gjatë konferencës për media, Stano ka theksuar se është e rëndësishme që të martën (2 maj) Kosova dhe Serbia janë pajtuar për deklaratën rreth personave të zhdukur. Sipas tij, ky pajtim i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtid dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq është dëshmi se dialogu po sjell rezultate.

Stano: Pajtimi për Deklaratën për të Zhdukurit, dëshmi se dialogu po sjell rezultate

“Të zhdukurit, apo rastet e personave të zhdukur, nuk janë 600, por 6000, dhe po, 1622 raste mbeten ende të pazgjidhura. Komisioni Evropian nuk është regjistri qendror i këtyre njerëzve. Këta njerëz janë të një pale të caktuar, jo të një partie politike, por administrate të caktuar, kështu që saktësimi i takon të dyja palëve, Serbisë dhe Kosovës. Pra, kjo është një pyetje për ta, por sigurisht që jemi të vetëdijshëm, sepse po punojmë me informacionin e paraqitur dhe të dhënë nga të dy palët. Por përsëri, është shumë e rëndësishme që takimi i së martës arriti të sjellë një konsensus për këtë deklaratë, që ne kemi mundur të shohim presidentin e Serbisë, kryeministrin e Kosovës, të bien dakord për këtë deklaratë dhe për të vazhduar punën me hapat praktik. Kjo është shumë e rëndësishme dhe është një dëshmi se dialogu po sjell rezultate.”, është shprehur Stano.

Ai ka deklaruar se do të ketë pasoja konkrete për Kosovë dhe Serbinë për zbatim apo moszbatimin e ankesit të marrëveshjes sipas planit evropian, të arritur në Ohër.

Stano: Zbatimi ose moszbatimi i aneksit të marrëveshjes do të ketë pasoja

“Deklarata e Përfaqësuesit të Lartë thotë shumë qartë, deklarata e miratuar, parë dhe dakorduar nga presidenti Vuçiq, dhe nga Kosova, kryeministri Kurti, se ne kemi një marrëveshje dhe kemi një aneks zbatues të kësaj marrëveshjeje, dhe palët janë të përkushtuara të punojnë për zbatimin e plotë. Ata u zotuan se zbatimi i plotë dhe procesi se si po e bëjnë zbatojnë atë, tani do të lidhen drejtpërdrejt me procesin e tyre të anëtarësimit. Kjo do të thotë pasoja konkrete, politike dhe financiare, për zbatim apo moszbatim. Pra, kjo është shumë e qartë. Dhe sërish, pavarësisht nëse është diçka e nënshkruar apo jo, ka një angazhim politik të fiksuar në deklaratë, nga përfaqësuesi i lartë, i cili shprehimisht thotë se kjo deklaratë është rënë dakord nga dy liderët politikë. Dhe nëse besojmë apo jo në një përpjekje të sinqertë? Sigurisht që duhet, përndryshe nuk do ta bënim këtë punë.”, ka thënë ai, duke shtuar se palët duhet të gjenë konsensus dhe kompromise.

Ai ka shtuar se dialogu Kosovë-Serbi është duke zgjatur më shumë se 10 vjet, i cili ka pasur një sërë angazhimesh që janë ende pezull, por ka shtuar se ato duhet të realizohen, duke përfshirë atë që është dakorduar në shkurt në Bruksel dhe në mars në Ohër./

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat