Blakaj thotë se Deklarata për të Zhdukurit ka potencial nëse zbatohet

Aktuale

Blakaj thotë se Deklarata për të Zhdukurit ka potencial nëse zbatohet

Më: 4 maj 2023 Në ora: 18:21
Bekim Blakaj

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare ka deklaruar se Deklarata për të Zhdukurit mes Kosovës dhe Serbisë ka potencial nëse pikat e saj zbatohen në mënyrë të duhur.

Por që Blakaj është shprehur skeptik sa i përket implementimit të kësaj Deklarate nga ana e Serbisë, pasi siç tha ai, nga pala serbe nuk mund të pritet një vullnet politik për hapjen e arkivave shtetërore që kanë të bëjnë me informacionet për personat e zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Kjo deklaratë ka potencial nëse zbatohen ashtu pikat e kësaj deklarate në mënyrë të duhur, edhe mund të presim zhvillime pozitive, apo një kualitet të ri në këtë procesin e gjurmimit për persona të zhdukur. Kemi arsye të shumta të jemi skeptik në këtë drejtim pra që nuk mund të presim ndonjë vullnet politik dhe të presim që në mënyrë të vullnetshme pala serbe t’i hapë të gjitha arkivat, t’i hapë dokumentacionet dhe t’i japë palës tjetër në mënyrë që të zbardhet fati i personave të zhdukur”, tha ai.

Sipas Blakajt autoritetet kosovare nuk do të duhej që këtë çështje ta linin në vullnetin e palës serbe, por që sipas tij, do të duhej që të bënin më shumë në identifikimin e mundshëm të dokumentacioneve të cilat pala serbe mund t’i ketë në posedim.

“Autoritetet kosovare duhet të bëjnë  pak më shuëm në identifimkimin e mundshëm të dokumenatacioneve që mund të jenë në posedim të palës serbe, mirëpo është e rëndësishme që tani më palët janë dakorduar. Trupi mbikqyrës pastaj do të vlerësoj se a po bashkëpunojnë palët a po e zbatojnë marrëveshjen”, tha ai.

Kurse sa i përket grupit mbikqyrës i cili ka në përbërje të përfaqësuesit të  BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak si kryesues, ambasadorn e Kosovës në Bruksel dhe nga pala serbe Petar Petkoviqin, Blakaj tha se ky grup do të duhej të fuqizohej.

“Mendoj që ndoshta ky grup do të duhej të fuqizohej, mirëpo sidoqoftë është me rëndësi që ekziton një grup i tillë dhe pala kosovare t’i adresojë të gjitha shqetësimet e rastet kur pala serbe nuk bashkëpunon apo nuk ka vullnet që t’i ofrojë informacionet që i ka në posedim”, shtoi ai.

Ndryshe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, miratuan Deklaratën për të Zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë.

Bashkimi Evropian ka publikuar Deklaratën për të Zhdukurit, në takimin në Bruksel ku thuhet se përfshihen edhe të zhdukurit me dhunë.

Kurse edhe presidentja Vjosa Osmani, është deklaruar pas miratimit të  kësaj Deklarate, në kuadër të dialogut në Bruksel, ku ka thënë se fati i të zhdukurve me forcë ka qenë prej kohësh një plagë e thellë në shoqërinë tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat