Zeqiri thotë se ende nuk është caktuar data dhe vendi për betimin si kryetar komune

Aktuale

Zeqiri thotë se ende nuk është caktuar data dhe vendi për betimin si kryetar komune

Më: 4 maj 2023 Në ora: 18:39
Izmir Zeqiri

Kryetari i sapozgjedhur i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri bën të ditur se ende nuk është caktuar koha dhe vendi se ku do të mbahet akti i betimit për kryetar komune.

Në një lidhje direkte Zeqiri theksoi se nuk do të marrë vendime sipas tekave të tij, por do të jenë në përputhje edhe me Ministrinë e Pushtetit Lokal.

“Java tjetër do të jetë ajo që mund të sqarohemi rreth datës dhe rreth vendit ku do të mbahet betimi…nuk do të marrë vendime sipas tekave të mija, unë do të marrë vendime sipas një harmonizimi të veprimit, kështu që nuk mund të them se ku. Unë nuk do të marrë sipas mendimit tim, nuk do të marrë vendim, do të harmonizohemi, do të shohim, mirëpo java tjetër do të na tregojë edhe datën edhe vendin ku do të mbahet. Ne kemi objekte komunale ku unë punoj dhe veproj…mirëpo ne synojmë që administratën komunale ta vendosim në gjithë objektet, aty ku janë të komunës, kështu që nuk e kemi për prioritet dhe t’i marrim përmenjëherë, do të harmonizohemi me Ministrinë e Pushtetit Lokal, me instruksione të Qeverisë. Nuk marrë vendime vetëm pa qenë i harmonizuar me të gjitha strukturat e shtetit”, deklaroi ai.

Tutje, ai potencoi se janë në kontakt me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe me akterët që janë në terren, sa i përket çështjes së sigurisë.

Zeqiri shtoi se detyra e parë që do ta bëjë pas betimit, është të përpiqet ta formojë kabinetin, pjesë e të cilit të jenë sa më shumë profesionistë.

Kryetarët e sapozgjedhur të katër komunave në veri kanë mundësi ta bëjnë betimin deri më 28 maj.

Në zgjedhjet për kryetar të Komunës së Zubin Potokut, Zeqiri i Partisë Demokratike të Kosovës mori 52.2% të votave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat