​Vrasja e trefishtë në Gllogjan, cak ishte drejtuesi i autobusit

Aktuale

​Vrasja e trefishtë në Gllogjan, cak ishte drejtuesi i autobusit

Më: 5 maj 2023 Në ora: 17:01
Foto ilustrim

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë për vrasjen e trefishtë që ndodhi më 26 nëntor 2021 në fshatin Gllogjan të Deçanit. Vrasja e tre personave kishte ndodhur pas një sulmi të armatosur ndaj një autobusi që po bartte edhe nxënës që udhëtonin nga Gjakova. Sipas prokurorisë, target i sulmit ka qenë drejtuesi i autobusit ndërsa sulmi ka qenë mirë i planifikuar.

Prokurorja e rastit, Sahide Gashi ka thënë se nuk mund të zbulojnë motivin për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe dekonspirimit të hetimeve.

Gashi konfirmoi se kanë ngritur aktakuzë ndaj vëllezërve Kastritot dhe Kreshnik Mehmetaj, të cilët dyshohet se kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje, ndërkaq babai i të dyshuarve Halil Mehmetaj akuzohet për shtytje në kryerje të veprës penale.

Gashi: Është ngritur aktakuza, kemi zbuluar rastin

"Fakti që sot është ngritur aktakuzë, ne gjatë këtyre hetimeve kemi mundur të gjejmë shumë prova rrethanore, por edhe provë direkte që i lidh personat në fjalë me krimin. Së paku ne besojmë kështu, mbi bazën e të cilave është ngritur aktakuza, kemi zbuluar motivin, mënyrën, planifikim, organizimin, mjetin dhe të gjitha këto", ka thënë ajo.

Në konferencë për media, prokurorja e shtetit ka njoftuar se në mungesë të provave kanë pushuar hetimet për Malësor Mehmetajn, anëtarin tjetër të familjes Mehmetaj.

Gashi: Kemi pushuar hetimet ndaj Malësor Mehmetajt

"Ju njoftoj se pas hetimeve, prokuroria sot me datë 5 maj 2023, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Pejë, kundër Kastriot Mehmetaj dhe Kreshnik Mehmetaj për vepër penale, si bashkëkryerës të veprës së rëndë... Po ashtu kemi ngritur aktakuzë edhe kundër Halil Mehmetaj për vepër penale 'shtytje në vrasje të rëndë'. Pas përfundimit të hetimeve, analizimit dhe shqyrtimit të të gjitha provave të siguruara në këtë rast, prokuroria për të pandehurin, Malësor Mehmetaj nuk ka arritur që të vërtetojë dyshimin se i njëjti të ketë qenë i përfshirë në ndonjë mënyrë në përgatitjen apo zbatimin e akteve të krimit. Andaj prokuroria ka marrë vendim që kundër të njëjtit t'i pushojë hetimet", shtoi ajo.

Derisa ka folur për veprimet që kanë ndërmarrë gjatë fazës së hetimeve, Gashi ka shtuar se nga hetuesit janë nxjerrë të gjitha informatat e hyrje-daljeve nga te gjitha pikat kufitare. Sipas saj, për shkak të kushteve atmosferike të natës së 26 nëntorit është vështirësuar ekzaminimi i vendit të ngjarjes.

Gashi: Target i sulmit ka qenë shoferi i autobusit

"Pas grumbullimit të të gjitha këtyre informatave nga Instituti i Forenzikës, nga ekspertimi i vendit të ngjarjes, sigurimi i provave, si dhe veprimeve të tjera hetimore kemi mundur të konstatojmë me besueshmëri të lartë se nuk ka indikacione për sulm terrorist. Kemi të bëjmë me një ekzekutues, me shumë gjasë të maskuar. Target i sulmit ishte shoferi i autobusit, se kemi të bëjmë me një krim mirë të planifikuar. Dhe atë mbi bazën e treguesve që kishim, siç është përzgjedhja e vendit, ku përveç një vendbanimi të vogël që gjendej në afërsi ose në largësi në krahun e djathtë, nuk ka asnjë shtëpi në afërsi. Pjesa më e madhe e terrenit ishte e mbuluar me drunj, shkurre, ku nuk ka mbulim me kamera. Kryerësi e ka ditur mire paraprakisht itinerarin e autobusit, kohën e saktë të arritjes në vendin e ngjarjes. Dhe veprimet e ndërmarra të kryesit, si shtirja e të njëjtit si i dehur ose me probleme për ta detyruar shoferin që ta ulë shpejtësinë, eventualisht edhe ta ndalojë dhe ta kap në befasi", ka deklaruar ajo.

Tutje, prokurorja e rastit tha se arratisja e kryerësit tregon se i njëjti e ka ditur mirë terrenin apo dikush e ka ndihmuar pas sulmit.

Ajo ka shtuar se janë realizuar mbi 40 incizime të kamerave të siguruara nga objektet publike e private.

Gashi: Provat janë ekzaminuar jashtë shtetit

"Janë dërguar provat për ekzaminime në laboratorë të Forenzikës brenda dhe jashtë shtetit. Në Agjencinë Kosovare të Forenzikës në Prishtinë, në Institutin për Forenzikë ne Cyrih, në laboratorin të policisë në Cyrih, ne laboratorin shkencor në Tiranë të Shqipërisë", ka përfunduar ajo.

Prokurorja e shtetit nuk ka dhënë detaje për rezultatet e Institutit Forenzikës në Cyrih.

Mbrëmjen e 26 nëntorit të vitit 2021, autobusi që po transportonte nxënës nga Gjakova për në Deçan u sulmua me kallashnikov, ku u vranë shoferi i autobusit dhe dy nxënës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat