Aktakuza për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, si erdhi Prokuroria deri te kapja e të dyshuarve

Aktuale

Aktakuza për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, si erdhi Prokuroria deri te kapja e të dyshuarve

Më: 6 maj 2023 Në ora: 07:37
Gllogjan

Një vit e gjysmë pas tragjedisë së Gllogjanit, Prokuroria Themelore e Pejës ka ngritur dje aktakuzë për këtë rast. Prokurorja e rastit, Sahide Gashi, njoftoi se pas hetimeve prej një viti e gjysmë, kanë ngritur aktakuzë kundër Kastriot Mehmetajt dhe Kreshnik Mehmetajt për vrasje të rëndë, derisa ndaj Halil Mehmetajt është ngritur aktakuzë për shtytje në këtë vepër penale.

Për Malsor Mehmetajn, Gashi tha se kanë pushuar hetimet meqë Prokuroria “nuk ka arritur që të vërtetojë dyshimin se i njëjti ka qenë i përfshirë në ndonjë mënyrë në përgatitjen, ndihmë apo zbatimin e aktit të krimit”.

 “Ju njoftoj se pas hetimeve, Prokuroria sot me datë 5 maj ka ngritur aktakuzë kundër Kastriot Mehmetaj dhe Kreshnik Mehmetaj për veprën penale si bashkëkryes së vrasjes së rëndë”, deklaroi Gashi në një konferencë për media.

Gashi tha se pas të gjitha provave, fakteve, analizave forenzike dhe punës që është kryer përgjatë këtyre muajve, ka dalë se targeti i të dyshuarve ishte shoferi i autobusit,.

Prokurorja zbuloi se kryesi atë natë ishte shtirur si i dehur ose me probleme që ta detyrojë shoferin që ta ngadalësojë shpejtësinë e autobusit.

“Pas grumbullimit të të gjitha informatave nga Njësiti i Forenzikës, nga ekspertimi i vendit të ngjarjes, izolimi i gjurmëve, sigurimi i provave se dhe veprimeve tjera hetimore, kemi mund të konstatojmë me besueshmëri të lartë se nuk ka indikacione për sulm terrorist dhe se kemi të bëjmë me një ekzekutues me shumë gjasë të maskuar, target i sulmit ishte shoferi i autobusit dhe se kemi të bëjme me një krim të mirëplanifikuar dhe atë mbi bazën e treguesve që kishim siç është: Përzgjedhja e vendit, ku s’kishte asnjë shtëpi në afërsi, pjesa më e madhe e terrenit ishte e mbuluar me drunjë dhe shkurre të cilat e bënin shikueshmërinë e vështirësuar nga kalimtarët e rastit dhe s’ka mbulim me kamera; Kohën, pra stinën e dimrit dhe kushtet atmosferike, shiu. Kryesi paraprakisht e ka ditur mirë itinerarin e autobusit, kohën e saktë të arritjes së të njëjtit në vendin e ngjarjes si dhe Veprimet e ndërmarra të kryesit, si shtirja e të njëjtit si i dehur ose me probleme për ta detyruar shoferin që ta ulë shpejtësinë, eventualisht edhe ta ndalojë dhe ta kap në befasi. Zhdukja e kryesit pa lënë asnjë gjurmë është dëshmi se i njëjti e ka njohur mirë terrenin ose ka pasur bashkëpunëtorë që e kanë ndihmuar duke e larguar prej aty menjëherë pas sulmit”, deklaroi Gashi.

Ajo tregoi saktësisht për veprimet që janë ndërmarrur për ta zbardhur këtë rast.

““Janë identifikuar pothuajse të gjithë personat dhe veturat që kanë qarkulluar në atë moment në aksin rrugor. Të gjithë provat që kemi siguruar janë dërguar me urgjencë në Agjencinë Kosovare për Forenzikë për ekzaminim. Është siguruar hartografia dhe hyrje daljet e komunikimeve elektronike nga dy operatorët VALA dhe IPK0. Janë sigruuar incizimet e të gjitha kamerave përgjatë rrugëtimit të autobusit “Erblini” duke filluar nga stacioni i autobusëve në Gjakovë e deri në Gllogjan, por është vazhduar edhe më tutje për verifikimin e lëvizjeve. Janë marrë intervistat e para me pasagjerët e mbijetuar të autobusit, është nxjerrë profili i kryesit dhe personave viktima të rastit dhe kemi ardh ne një përfundim preliminar”- ka thënë prokurorja Gashi.

Si kishte ndodhur rasti?

Vrasja e tre personave kishte ndodhur pas një sulmi të armatosur ndaj një autobusi që po bartte edhe nxënës në Gllogjan.

Të vrarë mbetën dy nxënës dhe shoferi i autobusit.

Mbrëmjen e 26 nëntorit të vitit 2021 në Gllogjan, rreth orës 19:00 autobusi që vinte nga Gjakova u sulmua derisa të vrarë mbetën ngasësi i autobusit dhe dy nxënës që ndodheshin brenda.

Menjëherë pas ngjarjes, Policia njoftoi se nuk ka arsye për të besuar se sulmi ka motive terroriste.

Autoritetet atëbotë ofruan shpërblim prej 20.000 eurosh për këdo që jepte informata që do të çonin në arrestimin e autorëve të këtij sulmi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat