​Kurti takon nobelistin Dan Shechtman

Aktuale

​Kurti takon nobelistin Dan Shechtman

Më: 7 maj 2023 Në ora: 19:40
Kryeministri Albin Kurti dhe fituesi i çmimit nobel për Kimi, Dan Shechtman

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në takim fituesin e çmimit nobel për Kimi, Dan Shechtman, që shoqërohej nga Konsulli i Nderit i Kosovës në Austri, David Ungar-Klein.

Kryeministri Kurti e njoftoi Shechtman për progresin demokratik, arritjet dhe prioritetet e qeverisë, për pilot programet në kuadër të sistemit dual të edukimit që kanë filluar të zbatohen në këtë vit akademik, për investimin në fushat STEM dhe mbështetjen e vajzave dhe grave në këtë fushë përmes bursave të studimit.

Ai po ashtu e njoftoi për konferencën e sotme për prezantimin e Fondit Sovran dhe për vizionin që ky fond ka për ndërmarrjet publike, të cilat pas shumë vitesh keqmenaxhim kanë filluar të ringjallen dhe të jenë profitabile.

Sipas një komunikate të Qeverisë, në këtë takim theks i veçantë iu kushtua rëndësisë që edukimi ka për zhvillimin e vendit, veçanërisht shkenca në edukim të hershëm, teknologjia dhe ndërmarrësia në këto fusha.

“Schectman ndau me kryeministrin Kurti nga përvoja e tij profesionale dhe akademike, si dhe nga modelet e aplikuara në Izrael për mbështetje institucionale për ndërmarrës në fushën e teknologjisë dhe start-ups.

Dan Schechtman aktualisht po viziton Kosovën. Ai ka mbajtur disa ligjërata në vend, njërën nga to edhe në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës me titull “Pse në universitetet kosovare studentët duhet të mësojnë për teknologjinë, dhe pse fëmijët në kopsht duhet të mësojnë për shkencën”.

Në vitin 2011, profesori Schechtman kishte fituar çmimin nobel për kimi dhe për zbulimin e kuazikristaleve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat