Qeveria për 9 maj: Hap pas hapi, Kosova po i afrohet Bashkimit Evropian

Aktuale

Qeveria për 9 maj: Hap pas hapi, Kosova po i afrohet Bashkimit Evropian

Më: 9 maj 2023 Në ora: 09:51
Qeveria e Kosovës

Zyra e Kryeministrit të Kosovës, e ka uruar 9 majin, Ditën e Evropës.

Përmes një komunikate për medie, zyra e kryeministrit ka shkruar se hap pas hapi Kosova po i afrohet BE-së.

“Hap pas hapi, Kosova po i afrohet Bashkimit Evropian. Qytetarët e vendit tonë, të cilët përqafojnë dhe i mishërojnë vlerat evropiane, mund të ndihen tashmë më afër Evropës. Kosova gjendet në një trajektore të vendosur në rrugën drejt BE-së, në një proces të pakthyeshëm.

Urime të gjithë qytetarëve Ditën e Evropës!”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Sipas njoftimit, sot shënohet një ditë e rëndësishme.

“Kjo ditë kujton deklaratën e ministrit të jashtëm francez, Robert Schuman i cili foli për here të parë për idenë e Evropës. Evropën e cila nuk do ishte më një kontinent i shkatërruar nga luftërat dhe rivalitetet, por një projekt politik i paqes, prosperitetit dhe lirisë.

Ai thoshte se: “Paqja botërore nuk mund të ruhet pa ndërmarrjen e përpjekjeve kreative në proporcion të drejtë me rreziqet që e kërcënojnë atë.” E në sfidat me të cilat po përballet tashmë Evropa, uniteti dhe paqja janë domosdoshmëri për një të ardhme të lire, demokratike e prosperuese”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Në njoftim Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se si institucion e riafirmon projektimin e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

“Vetëm gjatë vitit të fundit, vendi ynë ka bërë hapa të rëndësishëm në rrugëtimin e integrimit evropian si votimi i parë pozitiv në fazat drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, përmbyllja e procesit të liberalizimit të vizave dhe aplikimi për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, thuhet në urimin e Qeverisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat