Gërvalla flet për Asociacionin, ka një thirrje për BE-në

Aktuale

Gërvalla flet për Asociacionin, ka një thirrje për BE-në

Më: 9 maj 2023 Në ora: 10:48
Ministrja e Punëve të Jashmte, Donika Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashmte, Donika Gërvalla-Schwarz, ka folur lidhur modelet e propozuara për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke e ritheksuar që nuk vijnë në shprehje ato që e shkelin Kushtetutën e Kosovës.

“Çështja e modeleve të cilat ne i kemi zgjedhur, apo kemi trajtuar, apo kemi shqyrtuar kanë të bëjnë me një fakt që ne në vazhdimësi të procesit të dialogut nga ndërmjetësuesi Lajçak na janë prezantuar disa modele evropiane të cilat na janë prezantuar si modele të mira, si shembuj të mirë se si mund të rregullohen çështjet e pakicave, minoriteteve në një vend”, ka thënë Gërvalla në konferencë për media.

“Të gjitha modelet që i kemi trajtuar, të gjitha modelet që I kemi parë, kemi konstatuar që kushtetuta e Republikës së Kosovës, minoriteteve të veta, pakicave të veta, u jep shumë më tepër të drejta se sa të gjitha modelet e tjera që kemi parë, qoftë përfaqësimi në parlament, qoftë përfaqësimi në nivelin lokal, madje që është unike në Kosovë, përfaqësimi, prezenca e  vazhdueshme e pakicës serbe në tavolinën e qeverisë, në kabinetin qeveritar ësht një element unik të cilin ia jep Kushetuta e Republikës së Kosovës pakicave serbe në Kosovë”.

“Prandaj ne i kemi trajtuar modelet, i kemi parë cilat janë ato, të cilat për neve nuk vijnë në shprehje sepse shkelin vijat e kuqe që i kemi në dialog”.

“Asnjë lloj formacioni, asnjë lloj asociacioni asnjë lloj mekanizmi nuk mund të implementohet në Kosovë nëse e shkel së pari sovranitetin e vendit, së dyti Kushtetutën e vendit dhe së treti funksionalitetin, funksionimin, funksionalizimin e Republikës së Kosovës, sepse këto tri elemente janë bazë për funksionim e një shteti”.

Ajo ka thënë që një model si ai në Bosnje nuk vjen në shprehje, pasi që edhe një Republikë Serbe është tepër.

“Çfarë kemi parë në Bosnje dhe Hercegovinë përmes Republikës Serbe të instaluar atje një bllokim të tërësishëm të funsionimit të shtetit nuk ka për të ndodhur në Republikën e Kosovës”.

“Ky rajon mjaft e ka një Republikë Serbe, nuk na nevojë për një të dytë, edhe një që e ka është tepër”.

“Prandaj, modelet që janë paraqitur paraqesin elemente të pranueshme në suazat e rregullimit tonë kushtetues dhe prej tyre do të përpiqemi të zgjedhim elementet më të mira që në të njëjtën kohë forojnë funksionimin e këtij shteti por edhe aty ku pakicat mund të shohin elemente ku do të ketë nevojë për ndonjë përmirësim që të shfrytëzojmë modelet tashmë të etabluara dhe të suksesshme në këtë drejtim”.

Gërvalla akuzoi edhe njëherë Serbinë për mospërfillje të marrëveshjeve, ndërkaq kërkoi nga Bashkimi Evropian që të këmbëngulë lidhur me vendimet që merren në prezencën e tyre.

“Kështu që ne jemi në një proces të negociatave, asgjë nuk është e vendosur. E vendosur është që në shkurt kur e kemi pranuar propozimin franko-gjerman qoftë më pas në mars kur kemi pranuar planin e implementimit pra, atë segmentizimin, sekuencimin e planit të implementimit të planit ne kemi dhënë fjalën tonë dhe ne mbajmë fjalën tonë”.

“Presim nga Bashshkimi Evropian dhe nga partnerët tjerë që të njëjtat kritere të vlejnë edhe për Serbinë, përfaqësuesit e së cilës bëjnë sikur nuk kanë qenë të pranishëm as në Bruksel kur kanë thënë po, as në Ohër kur kanë thënë po, sikur gjithmonë në cdo bisedë duhet ta nisin bisedën nga zeroja”.

“Presim nga BE-ja më shumë këmbëngulje të qëndrojnë në vendimet që merren në prani të tyre”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat