​Kurti: Shëndeti publik po rrezikohet me vendimin e OShP-së për insulinat

Aktuale

​Kurti: Shëndeti publik po rrezikohet me vendimin e OShP-së për insulinat

Më: 10 maj 2023 Në ora: 13:28
Kryeministri Albin Kurti

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka marrë një sërë vendimesh. Ekzekutivi i ka propozuar Kuvendit të Kosovës të shkarkojë nga detyra anëtaren e Organit Shqyrtues të Prokurimit, Kimete Gashi për shkak të tenderit me insulina. Qeveria, po ashtu ka ashpërsuar sanksionet ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, në raport me situatën në Ukrainë. Ndërkaq, i ka dhënë dritë të gjelbër edhe marrëveshjes 28 milionëshe me GIZ-in gjerman për projektin e promovimit të sipërmarrjes në zonat rurale bujqësore.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se shëndeti publik po rrezikohet me vendimin e OShP-së, ku lejohet importi i insulinave pa autorizim të marketingut, që garanton cilësinë e tyre. Andaj, ai është shprehur se është e domosdoshme të merren masa, fillimisht duke shkarkuar anëtaren e penalit përzgjedhës të OShP-së që e ka marrë këtë vendim.

Kurti: Shëndeti publik po rrezikohet me vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit

“Shëndeti publik po rrezikohet me vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP) për furnizimin me insulina. Bazuar në vendimin në fjalë, lejohet importi i insulinave pa autorizim marketingu, e cila shpie direkt tek rrezikimi i shëndetit të qytetarëve tanë që kanë nevojë për trajtim me insulinë. Qeveria ka detyrë të jetë e përgjegjshme dhe të shmangë çdo rrezik që qytetarëve tanë do t’iu kanoset. Për këtë detyrohemi të marrim masa në pajtim me legjislacionin në fuqi. Andaj, sot të marrim vendim që t’i propozojmë Kuvendit të Republikës së Kosovës shkarkimin e anëtares së OShP-së, zonjës Kimete Gashi, e cila ka udhëhequr panelin e cila ka marrë vendimin e dëmshëm në dëm të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka paraqitur para kabinetit qeveritar disa nga sanksionet e reja ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë të harmonizuara me pakon e dhjetë të sanksioneve të BE-së dhe ShBA-së.

Gërvalla: Kosova po përditëson në vazhdimësi sanksionet ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë

“Eksportet e teknologjisë kritike dhe mallrave industriale, importet e asfaltit dhe gomës sintetike, sigurimin e kapacitetit të depozitimit të gazit për rusët, tranzitin përmes Rusisë të mallrave dhe të teknologjisë së eksportuar të BE-së me përdorim të dyfishtë...Republika e Kosovës edhe pse nuk është e obliguar në bazë të marrëveshjeve kontraktuale që ka me BE-në, pasi ende nuk e gëzon statusin e vendit kandidat të BE-së, në vazhdimësi i ka përditësuar dhe zbatuar sanksionet e BE-së dhe ShBA-ve”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, ministri i Bujqësisë, Faton Peci është shprehur se marrëveshja me GIZ-in gjerman fokusohet në dizerfikimin e fermave bujqësore në zonat rurale.

Peci: Fokusi është në sektorin e bujqësisë në zonat rurale

Nisma në fjalë është iniciuar duke pasur parasysh përvojën e mirë të ndërtuar gjatë kësaj periudhe kohore ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe GIZ-it gjerman, në kuadër të fondeve nga Qeveria e Gjermane. E njëjta ka për qëllim dezifirkimin e fermës dhe aktiviteteve në zonat rurale të Kosovës”, ka theksuar ministri Peci.

Krahas këtyre, qeveria ka dhënë mendim pozitiv edhe për nisëm legjislative të Kuvendit për Ligjin për Zgjedhje të Përgjithshme. Ajo ka miratoi edhe Udhëzimin Administrativ për trajtimin mjekësor dhe psikologjik të fëmijëve, viktimë të abuzimit, për t’i ndihmuar në rehabilitim dhe për t’u riintegruar në shoqëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat