​BQK kritikon bankat komerciale për refuzimin e hapjes së llogarive për gazetarët afganë

Aktuale

​BQK kritikon bankat komerciale për refuzimin e hapjes së llogarive për gazetarët afganë

Më: 12 maj 2023 Në ora: 18:05
Foto ilustrim

Refuzimi i disa bankave komerciale në vend për të hapur llogari bankare për gazetarët e Afganistanit, të cilët janë strehuar në vendin tonë bazuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës për strehimin e tyre, është konsideruar e padrejtë nga drejtues të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

Ushtruesi i detyrës së zëvendësguvernatorit Nexhat Kryeziu ka thënë se kjo praktikë është e padrejtë sidomos në këtë rast kur ka të bëjë me çështje humanitare, derisa ka thënë se BQK-ja do t’i ndërmarrë menjëherë veprimet për të zgjidhur këtë problematikë të krijuar.

Në njoftimin e BQK-së thuhet se këto qëndrime të ushtruesit të detyrës së zëvendësguvernatorit Kryeziu janë bërë gjatë një takimi me përfaqësuesit e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe të Shoqatës së Bankave të Kosovës.

Në këtë takim është diskutuar rreth refuzimit të disa bankave komerciale për të hapur llogari për gazetarët e Afganistanit, të cilët janë strehuar në vendin tonë bazuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës për strehimin e tyre, në kuadër të programit “Journalists in Residence – Kosovo”, që është i iniciuar nga ECPMF, e që financohet nga Qeveria e Kosovës dhe mbështetet nga Iniciativa Hannah Arendt”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e AGK-së kanë falënderuar zëvendësguvernatorin Kryeziu për reagimin e shpejtë të BQK-së në zgjidhjen e kësaj situate, ndërsa dyja palët, shprehën gatishmërinë që dy institucionet të rrisin edhe më tutje bashkëpunimin.

Ndërkaq kryeshefi ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija, falënderoi BQK-në për angazhimin e menjëhershëm në zgjidhjen e kësaj çështje, derisa tha se kjo problematikë do të zgjidhet gjatë javës së ardhshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat